Kuadri Ligjor

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

LIGJ

Nr. 52/2016

                                                                      

PËR SHOQËRITË E KURSIM-KREDITIT DHE UNIONET E TYRE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

 

Objekti

            Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave, kritereve e kushteve për krijimin, organizimin, mbikëqyrjen dhe likuidimin e shoqërive të kursim-kreditit, dhe i unioneve që krijohen nga organizimi vullnetar i shoqërive të kursim-kreditit.

Neni 2

 

Shoqëria e kursim-kreditit

            1. Shoqëria e kursim-kreditit është një person juridik, i bazuar në organizimin vullnetar të anëtarëve, të cilët depozitojnë paratë e tyre në shoqëri, për t’u përdorur prej saj për dhënie kredie vetëm anëtarëve të shoqërisë së kursim-kreditit, me qëllim përmbushjen e nevojave apo interesave të anëtarëve.

            2. Shoqëria e kursim-kreditit ka stemën dhe vulën e saj, me shenjat përkatëse.

 

Neni 3

 

Përkufizime

            I. Termat e mëposhtëm, të përdorur në këtë ligj, kanë këto kuptime:

            1. “Administrator i falimentimit” është administratori i falimentimit, i përcaktuar në ligjin nr. 8901, datë 23.5.2002, “Për falimentimin”, i cili ushtron edhe detyrat e përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj.

            2. “Agjencia e sigurimit të depozitave” është institucioni që funksionon në bazë të ligjit  “Për sigurimin e depozitave”.

            3. “Anëtar i SHKK-së” është individi, mbi moshën 18-vjeç, ose personi juridik, i cili, përkundrejt pagesës së kontributit, fiton të drejtën e anëtarësisë, të drejtën të depozitojë paratë në SHKK dhe të përfitojë kredi prej saj, me qëllim përmbushjen e nevojave apo interesave të vet.

            4. “Anëtar i unionit” është çdo SHKK e krijuar, e regjistruar dhe që kryen veprimtari sipas dispozitave të këtij ligji, e cila është anëtarësuar në union dhe, përkundrejt pagesës së kontributit, fiton të drejtën e anëtarësisë, të depozitimit të parave në union dhe të përfitimit të kredive nga unioni, me qëllim përmbushjen e nevojave apo interesave të saj.

            5. “Auditues ligjor” ka të njëjtin kuptim me termin e përcaktuar në ligjin “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”.

            6. “Banka e Shqipërisë” është institucioni, i cili funksionon në bazë të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” dhe ushtron kompetencat e përcaktuara në këtë ligj.

            7. “Degë e SHKK-së/Unionit” është njësia organizative në varësinë e SHKK-së/Unionit, e cila ushtron në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjitha apo disa nga veprimtaritë që ushtron SHKK-ja/Unioni, në emër dhe për llogari të saj/tij.

            8. “Depozitë” është çdo shumë parash, e depozituar nga anëtarët në llogari të SHKK-së ose të Unionit, për të cilën SHKK-ja ose Unioni fiton pronësinë dhe detyrohet ta kthejë në të njëjtën monedhë, në përfundim të afatit të përcaktuar në kontratë ose me kërkesë të anëtarit, i cili ka depozituar shumën.

            9. “Kontributi” është shuma e paguar në kapitalin e një SHKK-je ose të një Unioni nga çdo anëtar i SHKK-së ose anëtar i Unionit, si kusht për anëtarësimin në SHKK apo Union.

            10. “Kredi” është marrëdhënia juridike e detyrimit për të livruar një shumë monetare, në këmbim të së drejtës së ripagimit të shumës së livruar dhe të interesit ose komisioneve të tjera mbi këtë shumë.

            11. “Licencë” është akti administrativ që i është dhënë SHKK-së ose Unionit nga Banka e Shqipërisë, i cili u jep të drejtën SHKK-së ose Unionit të ushtrojë veprimtaritë e lejuara sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore.

            12. “Mjaftueshmëria e kapitalit” është raporti ndërmjet shumës së kapitalit të SHKK-së/Unionit me shumën e zërave të aktivit të bilancit dhe të zërave jashtë bilancit, të ponderuara me rrezikun.

            13. “Qendra Kombëtare e Regjistrimit” është institucioni që funksionon në bazë të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

            14. “Skema e sigurimit të depozitave” ka kuptimin e parashikuar në pikën 23, të nenit 3, të ligjit “Për sigurimin e depozitave”.

            15. “SHKK” është shoqëria e kursim-kreditit.

            16. “Unioni i SHKK-ve” është organizimi vullnetar i SHKK-ve të veçanta, që kryejnë veprimtari të paraqitura në këtë ligj dhe në aktet nënligjore përkatëse, të dala në zbatim të këtij ligji.

            II. Titujt dhe krerët në këtë ligj janë përdorur vetëm për orientim e referim dhe nuk kanë për qëllim të kushtëzojnë ose të kufizojnë interpretimin e përcaktimeve dhe të dispozitave të këtij ligji.

            III. Në këtë ligj, fjalët në njëjës mund të interpretohen në shumës dhe anasjelltas, kurdoherë që një gjë e tillë është e domosdoshme nga përmbajtja e dispozitës.

            IV. Termat në gjininë mashkullore nënkuptojnë dhe ato në gjininë femërore dhe anasjelltas.

 

Neni 4

 

Parime të përgjithshme

            SHKK-ja dhe Unioni, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, udhëhiqen nga këto parime:

            1. Anëtarësimi bëhet në baza vullnetare.

            2. Qëllimi i veprimtarisë është bashkëpunimi ndërmjet SHKK-ve e Unionit dhe anëtarëve të tyre, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e anëtarëve, nëpërmjet aplikimit të interesave favorizuese në kreditë dhe shërbimet e tjera të përfituara nga anëtarët.

            3. Teprica neto e krijuar nga aktiviteti nuk shpërndahet për anëtarët, por përdoret për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së SHKK-së dhe Unionit.

            4. Anëtari i SHKK-së nuk është aksionar apo ortak në kuptimin e shoqërive tregtare dhe kontributi i anëtarësimit i paguar nga çdo anëtar i SHKK-së nuk konsiderohet kapital aksionar dhe prej saj nuk përfitohet dividend. Ky koncept zbatohet edhe në kuptim të nenit 38, të ligjit për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, për procesin e regjistrimit të këtyre shoqërive.

            5. Sigurimi i qëndrueshmërisë financiare realizohet duke përfshirë krijimin e rezervave të mjaftueshme për të siguruar shërbimin e vazhdueshëm ndaj anëtarëve.

            6.         Edukimi financiar i anëtarëve mbështetet në parimet ekonomike, sociale, demokratike dhe në parimin e ndihmës e të bashkëpunimit reciprok. Veprimtaria e SHKK-së dhe Unionit ka karakter ekonomik e social, duke promovuar jo vetëm kursimet dhe përdorimin gjerësisht të kredive, por edhe edukimin e anëtarëve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre.

Neni 5

 

Përgjegjësia e shoqërisë dhe e anëtarëve

            1. SHKK-ja përgjigjet për detyrimet ndaj të tretëve me të gjithë pasurinë e saj.

            2. Anëtarët e SHKK-së janë përgjegjës për detyrimet e shoqërisë deri në vlerën e kontributeve të paguara në kapitalin e saj.

 

KREU II

THEMELIMI DHE STATUTI I SHOQËRISË SË KURSIM-KREDITIT

Neni 6

 

Akti i themelimit

            1. Akti i themelimit të SHKK-së nënshkruhet nga të gjithë anëtarët themelues dhe përmban të dhënat si më poshtë:

            a) listën e anëtarëve themelues dhe kontributet e tyre në kapitalin fillestar të SHKK-së;

            b) identitetin e anëtarëve themelues;

            c) kriterin e anëtarësimit;

            ç) emërtimin e SHKK-së;

            d) objektin e SHKK-së;

            dh) selinë;

            e) kapitalin fillestar të SHKK-së; 

            ë) kontributin minimal për anëtarësim.

            2. Akti i themelimit shoqërohet me këto dokumente për çdo anëtar themelues:

            a) kopje të kartës së identitetit;

            b) dokumentin e pagesës së kontributit.

 

Neni 7

 

Statuti

 

            1. Statuti i SHKK-së miratohet nga anëtarët themelues, pas nënshkrimit të aktit të themelimit.

            2. Statuti i SHKK-së përmban këto të dhëna:

            a) emërtimin e SHKK-së;

            b) objektin e veprimtarisë;

            c) adresën e selisë, logon dhe vulën;

            ç) afatin e veprimtarisë, nëse parashikohet që SHKK-ja të ngrihet me afat të kufizuar;

            d) vlerën e kapitalit të SHKK-së;

            dh) listën e anëtarëve themelues;

            e) kriteret për pranimin e anëtarëve, kushtet dhe afatet për largimin vullnetar dhe përjashtimin e tyre;

            ë) të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve;

            f) organet e SHKK-së, kompetencat e tyre, mënyrën e funksionimit dhe të vendimmarrjes;

            g) administratorin e parë të SHKK-së, funksionet e përgjegjësitë e tij, si dhe afatet e emërimit dhe kushtet e largimit të tij nga detyra;

            gj)        kushtet dhe procedurat për kthimin e kontributeve të anëtarëve që largohen;

            h) kushtet dhe procedurat e likuidimit vullnetar të SHKK-së;

            i) emrin e ekspertit të parë kontabël të regjistruar të SHKK-së;

            j) shumën e kontributeve të anëtarëve, afatet dhe kushtet e regjistrimit në SHKK.

            3. Çdo ndryshim në të dhënat e statutit, të përcaktuara më lart, regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Neni 8

 

Numri i anëtarëve të SHKK-së

            1. Numri minimal i anëtarëve të nevojshëm për krijimin e SHKK-së duhet të jetë jo më pak se 50. Në përfundim të vitit të dytë të ushtrimit të aktivitetit nga SHKK-ja, si dhe në periudhën vijuese, numri i anëtarëve duhet të jetë jo më pak se 200 anëtarë.

            2. Kur SHKK-ja, pas vitit të dytë të ushtrimit të aktivitetit, ka më pak se 200 anëtarë dhe numri i tyre nuk rritet për një periudhë njëvjeçare, Banka e Shqipërisëka të drejtë të marrë masat mbikëqyrëse, të përcaktuara në këtë ligj.

Neni 9

 

Selia dhe emërtimi

            1. Selia e SHKK-së përcaktohet në statut.

            2. SHKK-ja ka emërtimin e saj, i cili përcaktohet në statut dhe përmban, në çdo rast, fjalët “shoqëri kursim-krediti”.

            3. Në të gjitha shkresat, publikimet dhe dokumentet e SHKK-së, emërtimi i saj duhet të përmbajë fjalët “shoqëri e kursim-kreditit”, pas të cilave shënohet emërtimi i shoqërisë.

            4. Asnjë subjekt nuk mund të përdorë fjalët “shoqëri kursim-krediti”, përveç subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

            5. SHKK-ja ka të drejtë të hapë degë, të cilat duhet të mbajnë emërtimin e shoqërisë me fjalën “degë”, përpara emërtimit.

 

Neni 10

 

Personaliteti juridik

            1. Pas themelimit të saj, SHKK-ja regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe të ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

            2. Me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, SHKK-ja fiton personalitet juridik.

 

KREU III

ANËTARËT E SHOQËRISË SË KURSIM-KREDITIT

Neni 11

 

Kriteri i anëtarësimit

            1. SHKK-të përcaktojnë, si rregull, kriterin e anëtarësimit, i cili mund të jetë ushtrimi i veprimtarisë në të njëjtën zonë gjeografike ose të njëjtin komunitet, apo çdo kriter tjetër, i cili bazohet në një interes të përbashkët.

            2. Kriteri i anëtarësimit nuk zbatohet për anëtarësimin e SHKK-ve në Union.

            3. Anëtarë të SHKK-së mund të jenë edhe anëtarë të së njëjtës familje.

            4. Të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve përcaktohen në këtë ligj dhe në statutin e SHKK-së.

Neni 12

 

Pranimi i anëtarëve

            1. Kërkesa për pranimin e anëtarit të ri bëhet me shkrim dhe i drejtohet administratorit të SHKK-së.

            2. Pranimi i anëtarit të ri bëhet me miratimin e administratorit, pas plotësimit të kushteve të përcaktuara në statut dhe pagimit të kontributit të detyrueshëm në kapitalin e SHKK-së, si dhe parashikimeve të tjera të këtij ligji. Pas miratimit, administratori njofton këshillin drejtues për pranimin e anëtarit të ri.

            3. Në rast se administratori refuzon anëtarësinë, kërkuesi ka të drejtë t’i drejtohet këshillit drejtues. Këshilli drejtues merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin në mbledhjen e radhës.

            4. SHKK-ja mban, në selinë e saj, një regjistër të anëtarëve, i cili përmban të dhënat e tyre identifikuese e kontributet e paguara dhe është i konsultueshëm nga publiku.

            5. Çdo anëtar i ri dhe çdo akt, i cili ndryshon kapitalin, si rrjedhojë e pranimit të anëtarit të ri, duhet të shënohen në regjistrin e anëtarëve që mbahet nga SHKK-ja.

            6. Administratori pajis anëtarin me kartën e anëtarësisë.

 

Neni 13

 

Të drejtat e anëtarit

            1. Anëtarët gëzojnë të drejtat e përcaktuara në këtë ligj dhe në statut, veçanërisht:

            a) të drejtën e votës në asamblenë e përgjithshme;

            b)         të drejtën për të kërkuar dhe zotëruar kopje të statutit, të rregullores së brendshme apo të vendimeve të organeve drejtuese të SHKK-së;

            c) 1/10 e anëtarëve ka të drejtën për t’i propozuar këshillit drejtues ndryshimin e administratorit;

            ç)         të drejtën për të propozuar ndryshime apo përmirësime të statutit;

            d)         të drejtën për të kërkuar dhe për të pasur në dispozicion të dhëna në lidhje me drejtat dhe detyrimet financiare të tyre brenda SHKK-së;

            dh) 1/10 e anëtarëve ka të drejtën të kërkojë informacion në lidhje me shpërblimet për anëtarët e organeve drejtuese, në ushtrim të kompetencave të tyre;

            e)         të drejtën të informohen, sa herë që depozitojnë kërkesë me shkrim, lidhur me gjendjen financiare të SHKK-së, kryesisht për:

            i) llogaritë financiare;

            ii) raportin e veprimtarisë së SHKK-së;

            iii) mënyrën dhe procedurat e përdorimit të fitimit;

            iv) raportet e ekspertit kontabël të regjistruar;

            v) të marrin pjesë në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme;

            vi) të drejtën për t’u zgjedhur anëtar i organeve drejtuese të SHKK-së.

            2. Nëse në statut nuk parashikohet ndryshe, Administratori informon, me shkrim anëtarin, për çështjet e trajtuara në kërkesën e tij, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së saj.

            3. Anëtari kërkues ka të drejtë të kundërshtojë refuzimin e dhënies së informacionit, duke iu drejtuar këshillit drejtues, brenda 30 ditëve nga njoftimi për refuzimin.

            4. Anëtari mund t’i drejtohet gjykatës kompetente, në rast se këshilli drejtues refuzon dhënien e informacionit.

Neni 14

 

Detyrimet e anëtarit

            Anëtari është i detyruar të përmbushë detyrimet e parashikuara në këtë ligj dhe në statut dhe veçanërisht:

            a) të kryejë pagesën e kontributit të tij në kapitalin e SHKK-së në mënyrën e parashikuar në ligj;

            b) të ruajë konfidencialitetin për ato çështje dhe të dhëna të SHKK-së, përhapja e të cilave mund të dëmtojë interesat e ligjshëm të saj;

            c) të ripaguajë kreditë dhe detyrimet e tjera ndaj SHKK-së;

            ç) nuk mund të shesë ose të blejë kontributin e tij në kapitalin e SHKK-së.

Neni 15

 

Përfundimi i anëtarësisë

            1. Anëtarësia në SHKK përfundon në rastet si më poshtë:

            a) vullnetarisht, me dorëheqjen e anëtarit;

            b) me përjashtimin e anëtarit, në rastet e parashikuara në këtë ligj;

            c) në rast likuidimi vullnetar të SHKK-së;

            ç) në rast likuidimi të detyruar të SHKK-së;

            d) në rast vdekjeje.

            2. Këshilli drejtues, bazuar në dokumentacionin dhe materialet e paraqitura nga Administratori, miraton përfundimin e anëtarësisë, në rastet e parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “d”, të pikës 1, të këtij neni.

            3. Përfundimi i anëtarësisë, si dhe çdo veprim, i cili ndryshon kapitalin, si rrjedhojë e largimit të anëtarit, duhet të shënohet në regjistrin e anëtarëve, që mbahet nga SHKK-ja.

            4. Kthimi i kontributeve ndaj anëtarit, në rastet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, bëhet në përputhje me nenin 42 të këtij ligji.

            5. Kthimi i kontributeve ndaj anëtarit, në rastet e parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni, bëhet në përputhje me dispozitat e kreut XI të këtij ligji.

            6. Kthimi i kontributeve ndaj trashëgimtarëve të anëtarit, në rastin e parashikuar në shkronjën “d”, të pikës 1, të këtij neni, bëhet në përputhje me nenin 42, të këtij ligji, në rast se SHKK-ja nuk është në proces likuidimi vullnetar ose të detyrueshëm, dhe në përputhje me dispozitat e kreut XI, të këtij ligji, në rast se SHKK-ja është në proces likuidimi vullnetar ose të detyrueshëm.

            7. SHKK-ja detyrohet t’i ripaguajë anëtarit ose trashëgimtarëve të tij depozitat, për rastet e përfundimit të anëtarësisë, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “d”, të pikës 1, të këtij neni. Në këtë rast, SHKK-ja mund të kompensojë depozitën me detyrimet që anëtari ka ndaj SHKK-së. Ripagimi i depozitave, për rastet e përfundimit të anëtarësisë, i përcaktuar në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni, do të kryhet në përputhje me kushtet e përcaktuara në kreun XI të këtij ligji.

            8. Anëtari ose trashëgimtarët e tij duhet t’i ripaguajnë SHKK-së kreditë, pavarësisht afatit të shlyerjes së tyre, për rastet e përfundimit të anëtarësisë, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “d”, të pikës 1, të këtij neni. Ripagimi i kredive, për rastet e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni, do të kryhet në përputhje me kushtet e përcaktuara në kreun XI të këtij ligji.

            9. Në rastin e përfundimit të anëtarësisë së SHKK-së në Union, përveç përcaktimeve të këtij neni, duhet të plotësohen edhe këto kërkesa:

            a) SHKK-ja, e cila kërkon përfundimin e anëtarësisë në Union, duhet të jetë në gjendje financiare të qëndrueshme;

            b) të ketë organe drejtuese të përshtatshme, të cilat mund të ruajnë dhe përmirësojnë gjendjen financiare të SHKK-së;

            c) Unioni duhet të njoftojë, paraprakisht, Bankën e Shqipërisë për kërkesën e SHKK-së për përfundimin e anëtarësisë. Banka e Shqipërisë ka të drejtë të paralajmërojë SHKK-në në lidhje me efektet e përfundimit të anëtarësisë në Union.

Neni 16

 

Largimi vullnetar i anëtarit

 

            1. Anëtari mund të largohet vullnetarisht nga SHKK-ja, nëpërmjet një njoftimi paraprak me shkrim, të cilin ia drejton administratorit.

            2. Administratori ia përcjell këshillit drejtues njoftimin e anëtarit për largimin vullnetarisht, sipas afateve dhe procedurave të parashikuara në statutin e SHKK-së.

            3. Anëtari mund të largohet vullnetarisht vetëm nëse ka qenë anëtar në SHKK për, të paktën, 1 vit.

            4. Në rast se ka më shumë se një kërkesë për largim vullnetar, kthimi i kontributeve realizohet duke filluar nga anëtari, i cili ka depozituar i pari njoftimin për largim vullnetar.

 

Neni 17

 

Rastet e përjashtimit të anëtarit

                                                                                   

            1. Anëtari mund të përjashtohet nga SHKK-ja me vendim të këshillit drejtues, në rastin kur:

            a) ka vepruar në kundërshtim me interesat e SHKK-së;

            b) ka shkelur detyrimet e tij, sipas përcaktimeve të nenit 14 të këtij ligji.

            2. Vendimi i largimit nga SHKK-ja i njoftohet anëtarit sipas afateve dhe mënyrave të përcaktuara në statut.

            3. Anëtari mund t’i drejtohet gjykatës kompetente brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni për vendimin e këshillit drejtues.

KREU IV

ORGANIZIMI I SHOQËRISË SË KURSIM-KREDITIT

Neni 18

 

Organet e SHKK-

            Organet e SHKK-së janë asambleja e përgjithshme, këshilli drejtues, komiteti i kontrollit dhe administratori.

Neni 19

 

Kriteret e emërimit të anëtarit të këshillit drejtues dhe administratorit

            1. Anëtarët e këshillit drejtues dhe administratorët e shoqërisë së kursim-kreditit duhet të plotësojnë, të paktën, kriteret e mëposhtme:

            a) të mos kenë shkaktuar ose të mos kenë qenë përgjegjës për falimentin e ndonjë subjekti që ushtron aktivitet ekonomik;

            b) të mos jenë në ndjekje penale ose të mos jenë shpallur fajtor nga gjykata për një vepër penale;

            c) të mos kenë qenë subjekt i procedurave të deklarimit të paaftësisë paguese ose falimentit, si dhe të jenë çliruar nga pagesa e detyrimeve pasurore të kaluara;

            ç) të mos jenë ndëshkuar nga Banka e Shqipërisë gjatë 5 vjetëve të fundit për shkelje të ligjit.

            2. Banka e Shqipërisë, nëse e vlerëson të nevojshme, përcakton me akt nënligjor kritere të tjera, përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni.

Neni 20

 

Asambleja e përgjithshme

            1. Asambleja e përgjithshme është organi më i lartë vendimmarrës dhe përbëhet nga të gjithë anëtarët e SHKK-së.

            2. Asambleja e përgjithshme zgjedh kryetarin dhe sekretarin. Rregullat dhe kriteret për zgjedhjen e tyre, periudha e veprimtarisë dhe procedura e shkarkimit përcaktohen në statutin e SHKK-së.

            3. Asambleja e përgjithshme, përveç sa mund të parashikohet në statut, ka këto kompetenca:

            a) vendos për politikat e drejtimit të SHKK-së, lidhur me planin e biznesit dhe buxhetin vjetor, të paraqitura nga këshilli drejtues;

            b) miraton pasqyrat financiare vjetore;

            c) emëron dhe shkarkon anëtarët e këshillit drejtues, anëtarët e komitetit të kontrollit, ekspertin kontabël të regjistruar e likuidatorin, në rastin e likuidimit vullnetar, si dhe përcakton masën e shpërblimit të tyre;

            ç) miraton zmadhimin dhe zvogëlimin e kapitalit;

            d) miraton ndryshimet e statutit;

            dh) vendos për fillimin e likuidimit vullnetar të riorganizimit dhe shndërrimit;

            e)         vendos për pjesëmarrjen në forma të tjera të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë pranimin e donacioneve, pjesëmarrjen në Union dhe përfundimin e anëtarësisë në Union;

            ë)         miraton raportet e këshillit drejtues, komitetit të kontrollit dhe administratorit.

            4. Vendimet e asamblesë së përgjithshme janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e SHKK-së dhe organet drejtuese.

Neni 21

 

Thirrja e asamblesë së përgjithshme

            1. Asambleja e përgjithshme mblidhet në rastet e përcaktuara me ligj, në statut ose sa herë që mbledhja është e nevojshme për të mbrojtur interesat e SHKK-së.

            2. Asambleja e përgjithshme thirret, të paktën, një herë në vit, brenda gjashtë muajve nga data e mbylljes së vitit financiar.

            3. Asambleja e përgjithshme thirret nga këshilli drejtues, administratori, komiteti i kontrollit ose të paktën me kërkesën e 10 për qind të anëtarëve.

            4. Asambleja e përgjithshme thirret nëpërmjet njoftimit me shkrim, postës elektronike, një njoftimi të afishuar në një vend të dukshëm në zyrat e SHKK-së ose nëpërmjet botimit në gazeta me qarkullim në të gjithë territorin, jo më vonë se 30 ditë përpara datës së parashikuar për mbledhjen e asamblesë së përgjithshme. Në situata emergjente ky afat mund të reduktohet në 15 ditë.    Njoftimi duhet të përmbajë:

            a) emërtimin e SHKK-së, selinë e regjistruar, vendin dhe orën e mbledhjes së asamblesë;

            b) rendin e ditës së mbledhjes së asamblesë. Çdo ndryshim në rendin e ditës njoftohet, të paktën, 10 ditë para datës së parashikuar për mbledhjen e asamblesë së përgjithshme.

            5. Vendimet e miratuara në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme, e cila nuk është thirrur sipas kërkesave të këtij neni, janë të vlefshme në rast se është plotësuar kuorumi i nevojshëm.

 

Neni 22

 

E drejta e votës

 

            Çdo anëtar i SHKK-së ka të drejtën e një vote në asamblenë e përgjithshme, pavarësisht shumës së kontributit të paguar në kapital apo shumës së depozituar në SHKK.

Neni 23

 

Përfaqësimi në mbledhje

            1. Një anëtar mund të përfaqësohet në asamblenë e përgjithshme nga një anëtar tjetër apo nga një person i tretë, në bazë të një prokure të lëshuar nga anëtari i cili përfaqësohet.

            2. Në rastet kur numri i anëtarëve nuk mundëson kryerjen e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme në të njëjtin ambient, mund të përcaktohen në statut kushte, sipas të cilave një numër i caktuar anëtarësh mund të përfaqësohen në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme nga një ose disa delegatë, të cilët duhet të jenë anëtarë të SHKK-së.

            3. anëtarët e këshillit drejtues dhe administratori i SHKK-së nuk mund të veprojnë si përfaqësues të anëtarëve të tjerë në asamblenë e përgjithshme.

            4. Prokura mund të jepet vetëm për një mbledhje të asamblesë së përgjithshme, e cila përfshin edhe mbledhjet vijuese me të njëjtin rend dite. Prokura duhet të përmbajë edhe rendin e ditës së mbledhjes për të cilën ajo jepet.

            5. Prokura është e vlefshme edhe në rast se mbledhja nuk realizohet për shkak të mosarritjes së kuorumit të nevojshëm.

            6. Përfaqësuesi i autorizuar është i detyruar të deklarojë çdo fakt apo rrethanë të tillë që, sipas gjykimit të anëtarit të përfaqësuar, rrezikon të ndikojë në vendimmarrjen e përfaqësuesit për interesa të tjerë, të ndryshëm nga ata të anëtarit të përfaqësuar.

 

Neni 24

 

Kuorumi

            1. Asambleja e përgjithshme merr vendime të vlefshme nëse janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të SHKK-së.

            2. Nëse mbledhja e asamblesë së përgjithshme nuk mund të realizohet, për shkak të mungesës së kuorumit, të përmendur në pikën 1, të këtij neni, asambleja mblidhet përsëri brenda ditës së nesërme, pavarësisht numrit të anëtarëve pjesëmarrës.

            3. Votimi është i hapur, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në statut.

Neni 25

 

Marrja e vendimeve

            1. Me përjashtim të rasteve kur statuti parashikon një shumicë më të lartë, asambleja e përgjithshme vendos me tre të katërtat e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim, në lidhje me:

            a) ndryshimin e statutit;

            b) zmadhimin dhe zvogëlimin e kapitalit;

            c) riorganizimin, shndërrimin dhe likuidimin vullnetar të SHKK-së.

            2. Asambleja e përgjithshme merr vendime për çështje të tjera, të cilat janë në kompetencën e saj, me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë.

 

Neni 26

 

Procesverbali i mbledhjes së asamblesë së përgjithshme

 

            1. Të gjitha vendimet e asamblesë së përgjithshme regjistrohen në procesverbalin e mbledhjes, i cili nënshkruhet nga kryetari dhe nga sekretari.

            2. Procesverbali lexohet dhe miratohet nga asambleja e përgjithshme në mbledhjen pasardhëse.

            3. Procesverbali dhe dokumentet e bashkëlidhura duhet të ruhen për një periudhë 10-vjeçare. Anëtarët mund të njihen me kopje të procesverbaleve.

Neni 27

Këshilli drejtues

            1. Këshilli drejtues është organ ekzekutiv i një SHKK-je, i cili drejton shoqërinë dhe përgjigjet para asamblesë së përgjithshme për drejtimin dhe kontrollin e aktivitetit e të fondeve.

            2. Këshilli drejtues raporton në asamblenë e përgjithshme në lidhje me gjendjen financiare të SHKK-së dhe përmbushjen e detyrave.

            3. Këshilli drejtues përbëhet prej jo më pak se pesë anëtarë, të cilët zgjidhen nga asambleja e përgjithshme, nga radhët e anëtarëve të SHKK-së, për një periudhë 4-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje. Numri i anëtarëve të këshillit drejtues është gjithmonë numër tek.

            4. Këshilli drejtues zgjedh kryetarin e tij, zëvendëskryetarin dhe sekretarin. Administratori nuk mund të jetë kryetar ose zëvendëskryetar i këshillit drejtues.

            5. Çdo anëtar, i cili ka detyrime të papaguara ose në vonesë ndaj SHKK-së, nuk mund të zgjidhet anëtar i këshillit drejtues.

            6. Këshilli drejtues, pasi vlerëson detyrimet e anëtarëve të tij ndaj SHKK-së, i propozon asamblesë së përgjithshme shkarkimin e anëtarit të këshillit drejtues, i cili ka detyrime në vonesë ndaj SHKK-së.

            7. Anëtari i këshillit drejtues nënshkruan një deklaratë, në të cilën shpreh angazhimin për të ofruar kohën e mjaftueshme për ushtrimin e detyrës, si dhe gatishmërinë për t’u trajnuar dhe për të përmbushur gjithë detyrimet.

            8. Këshilli drejtues i propozon asamblesë së përgjithshme shkarkimin e anëtarit të këshillit drejtues, i cili nuk merr pjesë në tre mbledhje në vazhdimësi, pa njoftuar, paraprakisht, për shkaqet e mungesës.

Neni 28

 

Mbledhjet e këshillit drejtues

            1. Këshilli drejtues mblidhet nga kryetari dhe, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari, kur vlerësohet e nevojshme, por jo më pak se një herë në tre muaj, përveçse kur përcaktohet ndryshe në statut.

            2. Anëtarët e këshillit drejtues nuk mund të marrin pjesë në votim në rast se kanë interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në çështjen në shqyrtim.

            3. Sekretari i këshillit drejtues mban procesverbalin e mbledhjes.

            4. Një kopje e procesverbalit të mbledhjes i jepet edhe ekspertit kontabël të regjistruar, me kërkesë të këtij të fundit.

            5. Vendimet e këshillit drejtues janë të vlefshme kur janë të pranishëm, të paktën, gjysma e anëtarëve të tij. Në rast se nuk arrihet kuorumi i nevojshëm, për shkak të vendeve vakante, këshilli drejtues thërret asamblenë e përgjithshme për të zgjedhur anëtarët e rinj.

            6. Vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm, me përjashtim të rastit kur në statut parashikohet një shumicë më e lartë.

            7. Vota e kryetarit është përcaktuese, në rast rezultati të barabartë votash, nëse në statut nuk përcaktohet ndryshe.

Neni 29

 

Kompetencat e këshillit drejtues

            1. Këshilli drejtues, përveç sa mund të parashikohet në statut, ka këto kompetenca:

            a) miraton aktet e brendshme rregullative të SHKK-së;

            b) cakton përqindjet e interesit për depozitat e kreditë dhe komisionet përkatëse;

            c)         miraton kreditë ndaj anëtarëve ose delegon miratimin e tyre në një komitet të veçantë;

            ç)         cakton kushtet dhe normat e interesit të pranimit të depozitave, të cilat u njoftohen anëtarëve të SHKK-së;

            d)         miraton rregullat për mënyrën e dhënies së kredive, duke përfshirë kriteret, kushtet e shlyerjes, shumën maksimale që mund të kreditohet dhe format e pranueshme të garantimit të kredisë;

            dh) miraton rregullat për administrimin e rrezikut;

            e) miraton kodin e qeverisjes së SHKK-së dhe raportin vjetor të qeverisjes;

            ë) miraton planin vjetor të punës dhe i propozon asamblesë së përgjithshme buxhetin vjetor;

            f) udhëzon administratorët për zbatimin e politikave të SHKK-së dhe kontrollon zbatimin e tyre;

            g)         miraton politikat e investimit, në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, dhe mbikëqyr administrimin e investimeve të SHKK-së në përputhje me këto politika;

            gj)        kontrollon zbatimin e politikave, procedurave dhe rregullave të SHKK-së nga administratori;

            h)         thërret mbledhjen e asamblesë së përgjithshme, sa herë vlerësohet e nevojshme për interesat e SHKK-së;

            i)  kujdeset që shoqëria të respektojë ligjin dhe standardet e kontabilitetit, si dhe i propozon asamblesë së përgjithshme anëtarët e komitetit të kontrollit;

            j) shqyrton dhe kontrollon librat kontabël e pasqyrat financiare të SHKK-së, dokumentet dhe aktivet e shoqërisë, si dhe raportet e komitetit të kontrollit; këshilli drejtues duhet të shprehet nëse i pranon rekomandimet e komitetit të kontrollit ose të paraqesë argumentet përkatëse, në rast se nuk i pranon këto rekomandime;

            k)         siguron që pasqyrat financiare vjetore e mujore, raportet e ecurisë së veprimtarisë si dhe detyrimet e tjera të raportimit e të publikimit, të detyrueshme në bazë të ligjit apo statutit, të kryhen me saktësi nga administratori;

            l)          i raporton asamblesë të përgjithshme, të paktën një herë në vit, për mbikëqyrjen dhe administrimin e SHKK-së gjatë vitit financiar;

            ll)         siguron që auditimi i librave dhe i regjistrimeve kontabël të kryhet, të paktën, një herë në vit, nga një auditues ligjor;

            m)        përcakton pagën dhe shpërblimin e administratorit;

            n)         miraton marrjen përsipër të detyrimeve, të ndryshme nga depozitat e anëtarëve, me vlerë më të lartë se 5 për qind të kapitalit të SHKK-së, që rezulton në pasqyrat e fundit financiare, të certifikuara;

            nj)        i propozon asamblesë së përgjithshme krijimin e bashkëpunimeve ekonomike afatgjata, përfshirë edhe anëtarësinë në Union;

            o)         kryen veprime të tjera, të përcaktuara në ligj dhe në statut;

            p)         thërret menjëherë asamblenë e përgjithshme kur, sipas bilancit vjetor apo raporteve të ndërmjetme financiare, rezulton apo parashikohet qartë se humbjet arrijnë në një vlerë të barabartë me 50 për qind të kapitalit të SHKK-së ose nëse aktivet e SHKK-së nuk mbulojnë detyrimet, që janë të kërkueshme brenda 3 muajve në vijim.

            2. Këshilli drejtues miraton procedurat e funksionimit të SHKK-së, duke përcaktuar edhe personelin e nevojshëm për zhvillimin e aktivitetit.

            3. Këshilli drejtues mund të krijojë komitete, në rast se është e nevojshme, për trajtimin e çështjeve që paraqesin interes të veçantë për SHKK-në, duke përcaktuar në mënyrë të qartë kompetencat, përbërjen dhe procedurat e tyre të punës.

            4. Këshilli drejtues njofton asamblenë e përgjithshme për pagesën e përfituar si shpërblim nga anëtarët e këshillit drejtues dhe administratori, nëpërmjet raportit vjetor të qeverisjes së SHKK-së.

            5. Në rastin e vendeve vakante, që krijohen nga vdekja, dorëheqja ose në rast të një vendimi penal të formës së prerë ndaj një ose disa anëtarëve të këshillit drejtues, deri në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme, këshilli drejtues mund të zgjedhë anëtarë të përkohshëm nga anëtarët e SHKK-së. Mbledhja e këshillit drejtues zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të këshillit drejtues të emëruar. Vendimi, në këtë rast, miratohet me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm në këtë mbledhje.

            6. Në rastin e përcaktuar në pikën 5, të këtij neni, këshilli drejtues thërret menjëherë asamblenë e përgjithshme.

 

Neni 30

 

Administratori

            1. Këshilli drejtues emëron administratorin e SHKK-së, për një periudhë jo më të gjatë se 4 vjet, me të drejtë riemërimi. Periudha e emërimit të administratorit parashikohet në statutin e shoqërisë.

            2. Administratori ka këto kompetenca dhe detyrime:

            a)         kryen të gjitha veprimet e administrimit të veprimtarisë së SHKK-së, duke zbatuar politikat e përcaktuara nga asambleja e përgjithshme dhe këshilli drejtues;

            b)         përfaqëson SHKK-në në marrëdhënie më të tretët;

            c)         është përgjegjës për mbajtjen e saktë e të rregullt të dokumenteve, regjistrave dhe librave kontabël të SHKK-së;

            ç)         përgatit dhe nënshkruan pasqyrat financiare vjetore dhe mujore, të cilat ia paraqet këshillit drejtues;

            d)         kryen regjistrimet dhe dërgon të dhënat e detyrueshme të SHKK-së në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, sipas këtij ligji;

            dh) i raporton asamblesë së përgjithshme dhe këshillit drejtues për zbatimin e udhëzimeve dhe për realizimin e veprimeve të posaçme, me rëndësi të veçantë për veprimtarinë e SHKK-së;

            e)  kryen detyra të tjera, të përcaktuara në ligj dhe në statut.

            3. Administratori mund të autorizojë persona të tjerë për kryerjen e disa veprimeve të caktuara. Njoftimet e drejtuara administratorit janë të vlefshme dhe detyruese për SHKK-në.

            4. Këshilli drejtues mund të shkarkojë administratorin në çdo moment, në rast se nuk përmbush detyrat dhe përgjegjësitë e tij.

            5. Administratori, të cilit i ka mbaruar mandati i plotë i emërimit, kryen vetëm ato detyra që janë të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e SHKK-së, deri në emërimin e administratorit të ri. Në këtë rast, këshilli drejtues njofton Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.

            6. Administratori informon menjëherë këshillin drejtues kur, sipas bilancit vjetor apo raporteve të ndërmjetme financiare, rezulton apo parashikohet qartë se humbjet arrijnë në një vlerë të barabartë me 50 për qind të kapitalit të SHKK-së ose aktivet e shoqërisë nuk mbulojnë detyrimet, të cilat bëhen të kërkueshme brenda 3 muajve në vijim.

            7. Emërimi i administratorit krijon pasoja juridike pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

            8. Nëse këshilli drejtues emëron më shumë se një administrator, ata e administrojnë shoqërinë në mënyrë të përbashkët, në rast se në statut nuk përcaktohet ndryshe.

 

Neni 31

 

Komiteti i kontrollit

     1. Komiteti i kontrollit përbëhet nga tre anëtarë, të cilët e ushtrojnë mandatin e tyre për një periudhë 4-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje. Njëri nga anëtarët e komitetit të kontrollit mund të jetë, njëkohësisht, edhe anëtar i këshillit drejtues.

     2. Anëtarët e komitetit të kontrollit janë individë, të cilët duhet të kenë eksperiencë jo më pak se 3 vjet në fushën e kontabilitetit, të auditimit ose kredidhënies.

     3. Komiteti i kontrollit ka këto detyra:

     a) kontrollon dhe mbikëqyr zbatimin e procedurave kontabël dhe të kontrollit të brendshëm të SHKK-së, duke përfshirë edhe procedurat e vendosura nga Banka e Shqipërisë;

     b) bën vlerësimin e situatës financiare të SHKK-së, bazuar në raportin e ekspertit kontabël të regjistruar;

     c) kontrollon përputhshmërinë e veprimtarisë së SHKK-së me aktet ligjore e nënligjore dhe njofton për përfundimet këshillin drejtues;

     ç) miraton raportet dhe deklaratat financiare, të përgatitura nga SHKK-ja, me qëllim publikimin e tyre.

     4. Komiteti i kontrollit mblidhet jo më pak se tre herë në vit, në mbledhje të zakonshme, si dhe në mbledhje të jashtëzakonshme, sa herë thirret nga këshilli drejtues. Vendimet merren me shumicë votash të të gjithë anëtarëve. Abstenimet nuk lejohen.

     5. Anëtarë të komitetit të kontrollit nuk mund të jenë punonjës ose administratorë të SHKK-së.

     6. Komiteti i kontrollit, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, mund të ndihmohet nga ekspertë të jashtëm, të zgjedhur prej tij.

     7. Asambleja e përgjithshme vendos për shpërblimin e anëtarëve të komitetit të kontrollit.

     8. Komiteti i kontrollit i paraqet raportet e tij, të paktën, një herë në vit, përpara asamblesë së përgjithshme, si dhe i paraqet rekomandime këshillit drejtues.

     9. Komiteti thërret menjëherë asamblenë e përgjithshme, kur, sipas bilancit vjetor apo raporteve të ndërmjetme financiare, rezulton apo parashikohet qartë se humbjet arrijnë në një vlerë të barabartë me 50 për qind të kapitalit të SHKK-së ose që aktivet e shoqërisë nuk mbulojnë detyrimet, që janë të kërkueshme brenda 3 muajve në vijim.

     10. Banka e Shqipërisë mund të përcaktojë me akte nënligjore kriteret për SHKK-të që duhet të kenë një njësi të kontrollit të brendshëm.

 

Neni 32

 

Audituesi ligjor

            1. Asambleja e përgjithshme e anëtarëve emëron audituesin ligjor të SHKK-së.

            2. Audituesi ligjor kryen auditimin e pasqyrave të vitit financiar dhe i dorëzon një raport komitetit të kontrollit, brenda 60 ditëve.

            3. Administratori i SHKK-së dorëzon në Bankën e Shqipërisë pasqyrat financiare të miratuara dhe opinionin e audituesit ligjor, brenda 90 ditëve nga miratimi i tij në komitetin e kontrollit.

            4. Në funksion të ushtrimit të detyrës së vet, audituesi ligjor ka të drejtën:

            a) të marrë dokumente dhe të bëjë verifikime;

            b) të marrë deklarata nga drejtuesit e shoqërisë, për çështjet që i nevojiten;

            c) të heqë dorë apo të refuzojë kryerjen e një angazhimi.

            5. Audituesi ligjor kontrollon dhe vlerëson përputhshmërinë e raporteve financiare, bazuar në legjislacionin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare e standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, legjislacionin për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.

            6. Audituesi ligjor verifikon tepricën e cash-it, llogaritë e anëtarëve, kryen rishikim të kontrollit të brendshëm, të kredive me probleme e kredive të këqija, si dhe të kredive që u janë dhënë të punësuarve, të cilët janë anëtarë të SHKK-së ose Unionit, dhe të anëtarëve të këshillit drejtues.

            7. Audituesi ligjor është i detyruar të njoftojë menjëherë Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në rast se konstaton shkelje të ligjit, raste mashtrimesh, vjedhjesh ose raste të pastrimit të parave, si dhe ndryshime të ndjeshme të rezultatit financiar.

            8. SHKK-ja njofton, zyrtarisht, Bankën e Shqipërisë për emërimin, zëvendësimin e audituesit ligjor dhe ky i fundit njofton, zyrtarisht, Bankën e Shqipërisë kur jep dorëheqjen.

            9. Banka e Shqipërisë mund të urdhërojë ndryshimin e audituesit ligjor nëse konstaton se raportet e tij nuk janë në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe standardet kombëtare e ndërkombëtare, nuk shprehin gjendjen reale të SHKK-së ose nëse ekziston një situatë e konfliktit të interesit.

            10. Shpërblimi për audituesin ligjor nuk lidhet me rezultat e auditimit.

            11. SHKK-ja ndryshon audituesin ligjor, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.

            12. Banka e Shqipërisë, duke marrë në konsideratë madhësinë e SHKK-së dhe vëllimin e aktivitetit, cakton SHKK-të që duhet të emërojnë një shoqëri auditimi. Shoqëria e auditimit zbaton përcaktimet e këtij ligji, në lidhje me audituesin ligjor.

Neni 33

 

Konflikti i interesit

            1. SHKK-ja duhet të shmangë rastet e konfliktit të interesit dhe të lidhjeve familjare ose të biznesit ndërmjet anëtarëve të organeve drejtuese dhe audituesit ligjor.

            2. Anëtarë të së njëjtës familje nuk mund të jenë njëkohësisht anëtarë të organeve drejtuese dhe organeve të kontrollit.

            3. Një person nuk mund të jetë auditues ligjor i një SHKK-je nëse është:

            a)         anëtar i SHKK-së;

            b) bashkëshorti/ja, i afërm ose partner në biznes i anëtarëve të këshillit drejtues, administratorit apo punonjësit të SHKK-së;

            c) debitor ndaj SHKK-së, në kohën kur kryhet auditimi.

            4. Eksperti kontabël i regjistruar deklaron mungesën ose ekzistencën e konfliktit të interesave të tij para asamblesë së përgjithshme.

KREU V

VEPRIMTARIA E SHOQËRISË SË KURSIM-KREDITIT

Neni 34

 

Objekti i veprimtarisë

 

            1. SHKK-ja ka si objekt kryesor të veprimtarisë së saj pranimin e depozitave dhe dhënien e kredive ndaj anëtarëve të shoqërisë.

            2. SHKK-ja nuk mund të ushtrojë veprimtari, e cila nuk është parashikuar ose lejuar në këtë ligj.

            3. SHKK-ja nuk mund të ushtrojë veprimtari tregtare, përveç veprimtarive të cilat janë të parashikuara në këtë ligj ose në aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij.

            4. Përveç sa parashikohet në pikën 1, të këtij neni, SHKK-ja mund të ushtrojë edhe veprimtari financiare të tjera, të përcaktuara me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë.

            5. SHKK-ja aplikon interesa për depozitat, kreditë dhe veprimtaritë e tjera financiare të lejuara, të cilat mund të sjellin fitime për shoqërinë.

 

Neni 35

 

Depozitat

            1. SHKK-të pranojnë depozita vetëm nga anëtarët e tyre.

            2. Në kontratën e depozitës duhet të përcaktohen kushtet dhe komisionet e aplikuara në rast të një kërkese të depozituesit për ripagimin e shumës së depozituar para përfundimit të afatit të përcaktuar në kontratë.

            3. Anëtari nuk mund të përdorë depozitat si garanci për detyrimet ndaj të tretëve dhe nuk mund të cenojë të drejtat që rrjedhin nga kontrata e depozitës.

            4. SHKK-ja mund të pranojë depozita vetëm nëse është e licencuar nga Banka e Shqipërisë dhe plotëson kushtet e sigurimit të depozitave, sipas ligjit “Për sigurimin e depozitave”.

            5. SHKK-ja gëzon të drejtën e kompensimit të depozitës me detyrimet që anëtari ka ndaj SHKK-së.

Neni 36

 

Kreditë

            1. SHKK-ja jep kredi vetëm për anëtarët e saj, sipas një kontratëkredie, bazuar në kushtet e kriteret e parashikuara në dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, si dhe në rregulloret e brendshme, të miratuara nga këshilli drejtues.

            2. SHKK-ja nuk mund t’i japë kredi anëtarit, me qëllim përdorimin e kredisë për investime në kapitalin e SHKK-së.

            3. SHKK-ja nuk mund të japë kredi me afat më të gjatë se 10 vjet, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe me akt nënligjor nga Banka e Shqipërisë.

            4. Kontrata e kredisë, ndërmjet SHKK-së dhe anëtarit, ku SHKK-ja është në cilësinë e kredidhënësit, është titull ekzekutiv, në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana anëtarit.

             

Neni 37

 

Shitja e depozitave dhe e kredive

 

            Shitja ose transferimi i pjesshëm apo i plotë i depozitave e kredive, si dhe i të drejtave e detyrimeve, pranë një banke apo SHKK-je tjetër, mund të kryhet me vendim të Bankës së Shqipërisë, në rastet e likuidimit të detyrueshëm. Në këtë rast, si dhe në rastin e përcaktuar në shkronjën “i”, të nenit 77, të këtij ligji, nuk është i nevojshëm miratimi i asamblesë së përgjithshme dhe miratimi i kreditorëve e debitorëve individualë.

Neni 38

 

Investimi i fondeve

            1. SHKK-ja, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe me akt nënligjor nga Banka e Shqipërisë, mund të investojë mjetet monetare, të cilat nuk përdoren për kredi për anëtarët, në:

            a) bono thesari të emetuara nga Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë;

            b) depozitat me afat maturimi deri në 1 vit, pranë bankave që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë;

            c) depozitat me afat maturimi maksimal 1-vjeçar, të vendosura në Unionin përkatës, atëherë kur kushtet e investimit në Union janë të njëjta apo më të mira, krahasuar me rastet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike.

            2. Investimet e mësipërme duhet të jenë të diversifikuara. Shoqëria nuk mund të investojë më shumë se 25 për qind të totalit të portofolit të investimeve në një investim apo subjekt të vetëm.

            3. SHKK-ja dhe Unioni mund të investojnë në aktive të qëndrueshme (toka, ndërtesa, pajisje dhe investime për përmirësimin e ambienteve të veprimtarisë) jo më shumë se 5 për qind të totalit të aktiveve.

KREU VI

KAPITALI, KONTRIBUTET DHE REZERVAT

Neni 39

 

Përbërësit e kapitalit

            1. Kapitali i SHKK-së përbëhet nga:

            a) kontributet e anëtarëve;

            b) fondet e donatorëve;

            c) rezerva ligjore;

            ç) rezerva staturore;

            d) rezerva të tjera;

            dh) fitimet/humbjet e grumbulluara;

            e) rezerva e rivlerësimit të aktiveve të qëndrueshme;

            ë) fitimi ose humbja gjatë vitit në vazhdim.

            2. Kapitali është pronë e SHKK-së dhe është i paguar dhe i shprehur në lekë. Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit i kapitalit dhe i kontributeve që e përbëjnë atë duhet të kryhet në përputhje me nenin 4, pika 4, të këtij ligji. Kjo dispozitë zbatohet edhe në rast të ndryshimit të kapitalit.

            3. SHKK-ja dhe Unioni, me qëllim ushtrimin e një veprimtarie të qëndrueshme dhe të sigurt, duhet të mbajnë, në çdo kohë, një nivel kapitali jo më të vogël se kapitali i nevojshëm për pajisjen me licencë.

 

Neni 40

 

Rezervat

            1. SHKK-ja krijon rezervë ligjore, të paktën 50 për qind të fitimit të realizuar gjatë vitit financiar paraardhës, derisa kjo rezervë të jetë e barabartë me 5 për qind të totalit të aktiveve të SHKK-së.

            2. Statuti mund të parashikojë krijimin e rezervave të tjera nga fitimet vjetore.

            3. SHKK-ja përcakton rezerva rivlerësimi, të cilat nuk llogariten nga fitimi dhe që përfaqësojnë kundërpartinë e rivlerësimit të aktiveve të qëndrueshme në kuadrin e rivlerësimit me vendim të organeve vendimmarrëse dhe/ose të respektimit të akteve ligjore në fuqi.

            4. Rezervat e SHKK-së përdoren për mbulimin e humbjeve dhe nuk mund t’u ndahen anëtarëve të saj, në rastet kur shoqëria është në proces likuidimi ose kur anëtarët largohen prej saj.

 

Neni 41

 

Trashëgimia e kontributit në kapital

     Kontributi i anëtarit në kapitalin e SHKK-së është i trashëgueshëm. Në këtë rast, trashëgimtari nuk e trashëgon të drejtën e anëtarësisë.

 

Neni 42

 

Kthimi i kontributeve

            1. Shuma e kontributit të anëtarit në kapitalin e paguar të SHKK-së kthehet në bazë të kontributit të tij në kapital. Anëtari nuk mund të kërkojë kthim të pjesshëm të kontributit të tij.

            2. Pavarësisht datës kur anëtari ka shprehur vullnetin për t’u larguar ose është përjashtuar, kthimi i kontributit bëhet vetëm pas mbledhjes së asamblesë së përgjithshme, e cila miraton pasqyrat financiare të vitit financiar.

            3. Kthimi i kontributeve të anëtarit bëhet vetëm pasi janë shlyer të gjitha detyrimet e tij ndaj SHKK-së dhe nëse kthimi i kontributeve nuk zvogëlon vlerën e kapitalit nën shumën minimale, të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

            4. Kthimi i kontributeve nuk duhet të cenojë mjaftueshmërinë e kapitalit nën 12 për qind të aktiveve dhe zërave jashtë bilancit, të ponderuara me rrezikun.

            5. Në rast se cenohet kapitali minimal i SHKK-së dhe raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, për shkak të kthimit të kontributit ndaj anëtarit ose trashëgimtarit, kthimi i këtij kontributi do të kryhet në vitin financiar, në të cilin SHKK-ja plotëson kërkesat e kapitalit dhe raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.

            6. Administratori i SHKK-së njofton me shkrim, çdo vit, anëtarin e larguar nga SHKK-ja ose trashëgimtarët e tij, të cilëve nuk u kthehet kontributi për shkaqet e përmendura më lart, deri në momentin e kthimit.

 

Neni 43

 

Raportet financiare

 

            1. SHKK-ja mban llogaritë kontabël dhe përgatit raportet financiare për pasqyrimin e saktë të gjendjes së saj financiare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.

            2. SHKK-ja harton e miraton procedura drejtimi, kontabiliteti dhe mekanizma të mjaftueshëm të kontrollit të brendshëm, në përputhje me aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë.

            3. Banka e Shqipërisë përcakton formën, tipin, metodologjinë e përmbajtjen e raporteve dhe periodicitetin e raportimit të tyre.

KREU VII

UNIONI

Neni 44

 

Krijimi i Unionit

            1. Pesë ose më shumë SHKK mund të krijojnë një Union, i cili ka për qëllim nxitjen, organizimin, zhvillimin dhe përmirësimin e veprimeve të tyre të brendshme.

            2. Vetëm SHKK-të mund të krijojnë dhe të jenë anëtare të Unionit. Anëtarësimi dhe vazhdimi i anëtarësisë së SHKK-së në Union është vullnetar.

            3. Unioni ushtron veprimtarinë vetëm pasi të jetë pajisur me licencë nga Banka e Shqipërisë.

            4. Banka e Shqipërisë përcakton, me akt nënligjor, kërkesat për licencimin e një Unioni.

Neni 45

 

Objekti i veprimtarisë

      1. Objekti i veprimtarisë financiare të Unionit është pranimi i depozitave dhe dhënia e kredive ndaj anëtarëve të Unionit.

      2. Krahas veprimtarisë financiare, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, Unioni mund të kryejë funksionet e mëposhtme:

            a) monitorimin ndaj SHKK-ve anëtare, sipas përcaktimeve të këtij ligji;

            b)         ofrimin e shërbimeve, të cilat lejojnë SHKK-të t’u shërbejnë anëtarëve të tyre. Këto mund të përfshijnë, por pa qenë të kufizuar ndaj tyre, fusha si arsimi dhe kualifikimi, këshillimi drejtues, kontabiliteti, sistemet e standardizuara, marketingu, prokurimi dhe administrimi i rrezikut;

            c)         përfaqësimin e interesave të të gjitha SHKK-ve anëtare para institucioneve shtetërore dhe palëve të treta;

            ç)         ofrimin e asistencës për procesin e riorganizimit, likuidimit vullnetar dhe likuidimit të detyrueshëm të SHKK-së, si dhe mbulimin e shpenzimeve përkatëse për këto procese, në rast se gjendja financiare e SHKK-së nuk mundëson pagimin e këtyre shpenzimeve nga vetë SHKK-ja.

            3. Unioni miraton standarde operacionale, me qëllim parandalimin e shkeljeve të ligjit dhe akteve nënligjore, të cilat mund të rrezikojnë situatën financiare të tij dhe të shoqërive të kursim-kreditit, anëtare në Union.

            4. Të gjitha dispozitat e këtij ligji, lidhur me veprimtarinë e SHKK-ve, zbatohen edhe për Unionin, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

Neni 46

 

Organizimi, kapitali dhe njësia organizative përgjegjëse

për ushtrimin e monitorimit

            1. Organizimi i brendshëm i Unionit kryhet në përputhje me kreun IV të këtij ligji. Në aktet e brendshme të Unionit përcaktohen rregullat për përbërjen e organeve drejtuese dhe përgjegjësitë e anëtarëve të organeve drejtuese.

            2. Unioni krijon komitetin e kreditit, të zgjedhur nga këshilli drejtues.

            3. Unioni duhet të ketë, të paktën, një kapital prej 12 për qind të aktiveve dhe zërave jashtë bilancit, të ponderuara me rrezikun, në mënyrë që të ushtrojë veprimtarinë e tij.

            4. Unioni krijon një njësi organizative të veçantë, e cila ka si objekt të punës së saj vetëm ushtrimin e monitorimit ndaj SHKK-ve. Unioni përcakton numrin e punonjësve të kësaj njësie, si dhe buxhetin e saj, në bazë të numrit të SHKK-ve, të cilat duhen të monitorohen, duke marrë miratimin paraprak të Bankës së Shqipërisë.

            5. Njësia organizative, përgjegjëse për ushtrimin e monitorimit të SHKK-ve nuk përfshihet në veprimtari operacionale, financiare ose promocionale.

            6. Drejtuesi i njësisë organizative, të përcaktuar në pikën 4, të këtij neni, miratohet nga Banka e Shqipërisë, pas emërimit të tij nga ana e këshillit drejtues të Unionit, dhe nuk mund të shkarkohet ose lirohet nga detyra pa miratimin paraprak të Bankës së Shqipërisë.

            7. Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor kriteret e emërimit dhe dokumentacionin e nevojshëm për miratimin e drejtuesit të njësisë organizative përgjegjëse për ushtrimin e monitorimit në SHKK.

Neni 47

 

Ushtrimi i monitorimit

            1. Unioni monitoron aktivitetin e SHKK-ve, anëtare në Union, lidhur me zbatimin e kërkesave ligjore e rregullative, si dhe kërkesave për administrimin e rrezikut.

            2. Unioni realizon procesin e monitorimit nëpërmjet:

            a) analizës financiare dhe parashikuese, verifikimit të të dhënave të raportuara periodikisht nga SHKK-të;

            b) inspektimeve të plota dhe të pjesshme të veprimtarisë financiare të SHKK-së;

            c) zbatimit të masave mbikëqyrëse, sipas parashikimeve të këtij ligji.

            3. Ushtrimi i monitorimit të Unionit ndaj SHKK-së synon sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të SHKK-së.

            4. Ushtrimi i monitorimit të Unionit ndaj SHKK-ve ka si objekt, në mënyrë të veçantë:

            a) vlerësimin e përputhshmërisë së veprimtarisë së tyre me ligjin dhe aktet nënligjore;

            b) analizën e pasqyrave financiare të SHKK-ve;

            c) vlerësimin e zbatimit të kërkesave për administrimin e rrezikut;

            ç) vlerësimin e zbatimit të rregullave për dhënien e kredive dhe respektimin e afateve kohore për shlyerjen e kredive;       

            d) vlerësimin e plotësimit të kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave.

            5. Punonjësit e Unionit, të ngarkuar me detyrën e ushtrimit të monitorimit, kanë të drejtë:

            a) të hyjnë në selinë, objektet, zyrat ose pjesë të tyre, ku ushtrohet aktiviteti i SHKK-së, në ditë dhe orë gjatë të cilave SHKK-ja kryen ose duhet të ushtrojë veprimtarinë;

            b) të kërkojnë, me shkrim, informacione, shpjegime e dokumente, si dhe të marrin të dhëna që lidhen me aktivitetin e SHKK-së, ndërsa organet dhe punonjësit e SHKK-së janë të detyruar të ofrojnë sqarimet e kërkuara.

            6. SHKK-të janë të detyruara të krijojnë kushtet e nevojshme, si dhe të vendosin në dispozicion informacionin e kërkuar për punonjësit e Unionit, të cilët ushtrojnë monitorimin.

            7. Unioni përgatit dhe dorëzon pranë Bankës së Shqipërisë, bazuar në kërkesën e Bankës së Shqipërisë, planin vjetor të monitorimit në SHKK-të anëtare.

            8. Unioni, me kërkesë të Bankës së Shqipërisë, bën ndryshime në planin vjetor të monitorimit.

            9. Unioni përgatit dhe dorëzon pranë Bankës së Shqipërisë përmbledhjet e monitorimit ndaj SHKK-ve, rekomandimet përkatëse dhe plotësimin e tyre, në fund të çdo muaji.

            10.  Shpenzimet për ushtrimin e monitorimit përballohen nga Unioni.

            11. Banka e Shqipërisë ka të drejtë të përcaktojë, me akt nënligjor, kritere dhe standarde, në lidhje me mënyrën e ushtrimit të monitorimit të Unionit ndaj SHKK-së.

 

Neni 48

 

Informimi mbi monitorimin

            Banka e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë informacion nga Unioni, njësia organizative  përgjegjëse për ushtrimin e monitorimit të SHKK-ve dhe organet drejtuese të Unionit, në lidhje me monitorimin ndaj SHKK-ve.

Neni 49

Masat e Unionit

 

            1. Unioni, në rast se konstaton parregullsi në ushtrimin e veprimtarisë nga ana e SHKK-së, i paraqet rekomandime për të korrigjuar parregullsitë brenda afatit të caktuar, duke njoftuar, në të njëjtën kohë, Bankën e Shqipërisë.

            2. Krahas rekomandimeve, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, për shkeljet e përcaktuara në nenin 76, të këtij ligji, Unioni mund të vendosë ndaj SHKK-së një ose disa nga masat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “dh”, “ë”, “f”, “g” dhe “gj”, të nenit 77,  dhe të shkronjës “d”, të nenit 78, të këtij ligji.

            3. Unioni i propozon Bankës së Shqipërisë vendosjen e masave të përcaktuara në shkronjat “d”, “e”, “h” dhe “i”, të nenit 77, dhe sanksionet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 78, të këtij ligji. Banka e Shqipërisë, në rast se konstaton shkelje, mund të vendosë, me iniciativën e saj, masat, sanksionet dhe gjobat e përcaktuara në këtë ligj ndaj SHKK-ve, të cilat janë objekt i monitorimit të Unionit.

            4. Unioni zbaton kërkesat e nenit 79,të këtij ligji, në lidhje me masat e vendosura ndaj SHKK-ve.

            5. Unioni njofton Bankën e Shqipërisë për masat e marra ndaj SHKK-ve, brenda 15 ditëve nga marrja e vendimit për vendosjen e masave, sipas përcaktimeve të këtij neni.

            6. SHKK-ja, ndaj së cilës Unioni ka marrë masat e përcaktuara në këtë nen, ka të drejtë të paraqesë ankim administrativ në Bankën e Shqipërisë, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit të masës. Ankimi administrativ pranë Bankës së Shqipërisë pezullon zbatimin e masës së marrë nga Unioni, deri në marrjen e vendimit nga Banka e Shqipërisë.

            7. Banka e Shqipërisë, brenda 30 ditëve nga paraqitja e ankimit administrativ, vendos për:

            a) lënien në fuqi të masës së vendosur nga Unioni;

            b) shfuqizimin e masës së vendosur nga Unioni;

            c) ndryshimin e masës së vendosur nga Unioni me një masë tjetër.

            8. Brenda 45 ditëve, nga marrja dijeni për vendimin e Bankës së Shqipërisë, sipas pikës 7, të këtij neni, SHKK-ja ka të drejtë të ankimojë në gjykatën administrative të apelit vendimin e Bankës së Shqipërisë.

            9. Banka e Shqipërisë përcakton organin administrativ, brenda Bankës së Shqipërisë, i cili shqyrton ankimin administrativ, sipas pikës 6, të këtij neni.

 

KREU VIII

RIORGANIZIMI I SHKK-VE

Neni 50

 

Bashkimi

 

            1. Dy ose më shumë SHKK mund të bashkohen, me vendim të asamblesë së përgjithshme, nëpërmjet:

            a) kalimit të të gjitha aktiveve e pasiveve të një ose më shumë SHKK-ve, që quhen SHKK të përthithura, te një SHKK tjetër ekzistuese, e quajtur SHKK përthithëse, në këmbim të kontributeve të kësaj SHKK-je. Ky proces quhet bashkim me përthithje;

            b) themelimit të një SHKK-je të re, tek e cila kalohen të gjitha aktivet e pasivet e SHKK-ve ekzistuese, që bashkohen në këmbim të kontributeve të SHKK-së së re. Ky proces quhet bashkim me krijim.

            2. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet e SHKK-së, e cila përthithet, i kalojnë SHKK-së përthithëse ose të krijuar rishtazi, si pasojë e bashkimit.

            3. SHKK-ja e përthithur ose SHKK-të, të cilat bashkohen në rastin e një bashkimi me krijim, pushojnë së ekzistuari në përfundim të procesit të bashkimit, i/u revokohet licenca nga Banka e Shqipërisë dhe, më pas, çregjistrohen, pa likuidim, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Neni 51

 

Ndarja

            1. Një SHKK mund të ndahet, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme, vetëm me miratimin paraprak të Bankës së Shqipërisë, duke transferuar të gjitha aktivet e pasivet e veta në favor të dy ose me shumë SHKK-ve ekzistuese apo të themeluara rishtazi. SHKK-ja që ndahet pushon së ekzistuari.

            2. SHKK-të që fitojnë pasuritë e shoqërisë që ndahet quhen shoqëri pritëse dhe përgjigjen, në përpjesëtim me pasuritë e fituara, për detyrimet e kësaj të fundit.

            3. SHKK-ja, e cila ndahet, pushon së ekzistuari në përfundim të procesit të ndarjes, i revokohet licenca nga Banka e Shqipërisë dhe më pas çregjistrohet, pa likuidim, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Neni 52

 

Kriteri i anëtarësimit

            Kriteri i anëtarësimit nuk është kusht pengues për realizimin e bashkimit ose ndarjes së SHKK-ve.

Neni 53

Kontributet e anëtarëve

 

            Në çdo rast, kontributi i anëtarëve në përfundim të procesit të bashkimit ose ndarjes do të jetë në të njëjtën masë, siç përcaktohet në statutin e SHKK-së, të rezultuar pas bashkimit ose ndarjes, pasi zbriten humbjet përkatëse.

 

Neni 54

 

Miratimi nga Banka e Shqipërisë

 

     1. Bashkimi dhe ndarja e SHKK-ve janë të pavlefshme në rast se nuk miratohen nga Banka e Shqipërisë.

     2. Bashkimi dhe ndarja e SHKK-ve regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pas miratimit të Bankës së Shqipërisë.

     3. Banka e Shqipërisë mund të refuzojë miratimin e riorganizimit të një SHKK-je, në rast se vlerëson se riorganizimi mund të sjellë rrezikimin e depozitave të anëtarëve të SHKK-së ose mund të shkaktojë përkeqësimin e situatës financiare.

     4. SHKK-të e reja, të krijuara si rrjedhojë e procesit të bashkimit ose ndarjes, duhet të plotësojnë kërkesat për licencim, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

     5. Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor procedura më të hollësishme dhe dokumentacionin e nevojshëm për bashkimin dhe ndarjen e SHKK-së.

KREU IX

SHNDËRRIMI I UNIONIT NË SHKK

Neni 55

 

Mënyra shndërrimit të Unionit në shoqëri kursim-krediti

 

            1. Unioni mund të shndërrohet në formën e një SHKK-je pas miratimit të Bankës së Shqipërisë. Procesi i shndërrimit shoqërohet me prishjen, pa likuidim, të Unionit dhe të SHKK-ve ekzistuese, anëtare në Union, asambletë e përgjithshme të së cilave kanë miratuar procesin e shndërrimit dhe krijimin e një SHKK-je të re, anëtarët e së cilës janë anëtarët e SHKK-ve, që kanë qenë anëtare të Unionit, dhe asambletë e përgjithshme të së cilave kanë miratuar procesin e shndërrimit.

            2. Vendimi për shndërrimin e Unionit në SHKK merret në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

            3. SHKK-ja, asambleja e përgjithshme e së cilës nuk e miraton shndërrimin e Unionit, vazhdon aktivitetin e saj si SHKK jashtë Unionit. Anëtarësia e kësaj SHKK-je në Union përfundon në momentin që Banka e Shqipërisë miraton shndërrimin e Unionit.

            4. Banka e Shqipërisë bashkëpunon me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, në funksion të përfshirjes në Skemën e Sigurimit të Depozitave të SHKK-së, të rezultuar pas shndërrimit.

Neni 56

 

Dokumentacioni i nevojshëm për realizimin e procedurës së shndërrimit

     1. Kryetari i këshillit drejtues dhe administratori i Unionit, i cili kërkon të shndërrohet, bashkë me kërkesën, paraqesin në Bankën e Shqipërisë dokumentacionin e mëposhtëm:

            a) një raport të hollësishëm, ku shpjegohen bazat ligjore dhe ekonomike të shndërrimit të propozuar dhe/ose arsyet përkatëse. Raporti përmban parashikimet në lidhje me ecurinë dhe kohëzgjatjen e procesit të shndërrimit të Unionit, përshkruan efektin që parashikohet të ketë shndërrimi te normat rregullatore dhe mbikëqyrëse dhe te punëmarrësit e shoqërive të kursim-kreditit, anëtare në Union, dhe vetë Unionit. Raporti përgatitet nga një shoqëri e auditimit me reputacion profesional. Shoqëria e auditimit përzgjidhet sipas kritereve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë;

            b) vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të SHKK-ve, të cilat kanë miratuar shndërrimin e Unionit në shoqëri kursim-krediti, ose një kopje e noterizuar e tyre, si dhe një procesverbal, në të cilin deklarohet verifikimi i përputhshmërisë me ligjin dhe me statutet përkatëse të vendimeve të asambleve të përgjithshme të SHKK-ve, anëtare në Union. Ky procesverbal përgatitet nga këshilli drejtues i Unionit dhe miratohet në asamblenë e përgjithshme të anëtarëve të Unionit. Këshilli drejtues i Unionit është përgjegjës për verifikimin e përputhshmërisë me ligjin dhe me statutet përkatëse të vendimeve të asambleve të përgjithshme të SHKK-ve, anëtare në Union;

            c) vendimin e asamblesë së përgjithshme të Unionit, i cili miraton shndërrimin e Unionit në SHKK, në të cilin të jetë përcaktuar emri i SHKK-së që do të rezultojë pas shndërrimit. Në vendimin e asamblesë së përgjithshme të Unionit pasqyrohen, në mënyrë të qartë, emrat e shoqërive të kursim-kreditit, anëtare në Union, të cilat kanë dhënë miratimin për të qenë pjesë e procesit të shndërrimit;

            ç) një projekt të statutit të SHKK-së, e cila do të rezultojë pas shndërrimit të Unionit;

            d) një projekt të bilancit të SHKK-së, e cila do të rezultojë pas shndërrimit të Unionit;

            dh) një listë të SHKK-ve, të cilat nuk kanë miratuar shndërrimin e Unionit.

            2. Banka e Shqipërisë shqyrton dhe vlerëson dokumentacionin e mësipërm brenda një periudhe 3-mujore, nga data e pranimit të kërkesës. Data e pranimit të kërkesës konsiderohet data kur kërkuesi ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e procedurës së shndërrimit. Kjo datë i njoftohet me shkrim kërkuesit nga Banka e Shqipërisë.

Neni 57

 

Efektet juridike të shndërrimit

 

            1. Shoqëria e kursim-kreditit, anëtare në Union, asambleja e përgjithshme e së cilës ka miratuar procesin e shndërrimit, si dhe Unioni, konsiderohen të prishura pa likuidim në përfundim të procesit të shndërrimit të Unionit.

            2. Anëtarët e SHKK-së, anëtare në Union, asambleja e përgjithshme e së cilës ka miratuar procesin e shndërrimit, do të jenë anëtarë të SHKK-së, të rezultuar nga procesi i shndërrimit të Unionit.

            3. Depozitat e anëtarëve të SHKK-ve, anëtare në Union, asambletë e përgjithshme të së cilave kanë miratuar procesin e shndërrimit, vazhdojnë të jenë të siguruara, nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, për gjithë kohëzgjatjen e procesit të shndërrimit të Unionit.

            4. Shndërrimi nuk sjell pasoja mbi të drejtat dhe detyrimet që Unioni dhe SHKK-të anëtare në këtë Union kanë marrë përsipër ndaj të tretëve. SHKK-ja, e cila rezulton nga shndërrimi i Unionit, trashëgon të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga operacionet dhe veprimtaria e Unionit dhe e SHKK-ve anëtare në Union, asambletë e përgjithshme të së cilave kanë miratuar procesin e shndërrimit. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet e Unionit që i nënshtrohet shndërrimit dhe të SHKK-ve, anëtare në Union, asambletë e përgjithshme të së cilave kanë miratuar procesin e shndërrimit, në raport me palë të treta, para hyrjes në fuqi të procesit të shndërrimit, vazhdojnë të mbeten në fuqi për SHKK-në e rezultuar nga shndërrimi, sipas përcaktimeve në aktet apo marrëveshjet përkatëse me këto palë.

            5. Kreditë dhe depozitat e anëtarëve të SHKK-së, anëtare në Union, asambleja e përgjithshme e së cilës ka miratuar procesin e shndërrimit, transferohen te SHKK-ja, e cila do të rezultojë pas shndërrimit.

            6. Organet drejtuese të SHKK-së anëtare në Union, asambleja e përgjithshme e së cilës ka miratuar procesin e shndërrimit, dhe organet drejtuese të Unionit, gjatë periudhës që zgjat procesi i shndërrimit, kryejnë vetëm administrim të zakonshëm e veprimtaritë për të cilat janë licencuar dhe nuk marrin përsipër detyrime të reja ndaj anëtarëve dhe palëve të treta.

            7. Me hyrjen në fuqi të procesit të shndërrimit, të gjitha aktivet financiare dhe fizike, në pronësi ose administrim të SHKK-së, anëtare në Union, asambleja e përgjithshme e së cilës ka miratuar procesin e shndërrimit dhe të Unionit që i nënshtrohet shndërrimit, do të jenë në pronësi ose administrim të SHKK-së së rezultuar nga shndërrimi.

            8. Pas regjistrimit në QKR të SHKK-së së rezultuar pas shndërrimit, procesi i shndërrimit konsiderohet i përfunduar, por anëtarët e SHKK-ve ose kreditorët e SHKK-ve dhe Unionit, të cilët pretendojnë se kanë pësuar humbje financiare nga ky shndërrim, mund të kërkojnë dëmshpërblim nga anëtarët e këshillit drejtues të SHKK-së, anëtare në Union, asambleja e përgjithshme e së cilës ka miratuar procesin e shndërrimit, dhe anëtarët e këshillit drejtues të Unionit, në rast se provojnë se anëtarët e këshillit drejtues të SHKK-së, anëtare në Union, asambleja e përgjithshme e së cilës ka miratuar procesin e shndërrimit dhe anëtarët e këshillit drejtues të Unionit kanë vepruar në kushtet e pakujdesisë ose të mashtrimit.

            9. Për efekt të regjistrimit tatimor, SHKK-ja e rezultuar pas shndërrimit vazhdon të mbajë numrin e NIPT-it të Unionit, i cili i nënshtrohet shndërrimit.

            10. Shoqëria e kursim-kreditit, e rezultuar nga shndërrimi i Unionit, nuk i nënshtrohet një procedure të re licencimi nga Banka e Shqipërisë, por kjo e fundit verifikon kushtet e përcaktuara në nenet 55 dhe 56, të këtij ligji, duke miratuar ose refuzuar shndërrimin e Unionit në SHKK.

            11. Depozitat e anëtarëve të SHKK-së, anëtare në Union, asambleja e përgjithshme e së cilës ka miratuar procesin e shndërrimit, si dhe depozitat e anëtarëve të SHKK-së, asambleja e përgjithshme e së cilës nuk e ka miratuar shndërrimin, mbeten të siguruara, sipas përcaktimeve të legjislacionit për sigurimin e depozitave. Me këtë shndërrim, SHKK-ja e rezultuar nga shndërrimi i Unionit është pjesë e Skemës së Sigurimit të Depozitave, sipas përcaktimeve të legjislacionit për sigurimin e depozitave.

            12. Depozitat dhe kontributet e SHKK-ve, asambletë e përgjithshme të së cilave nuk e kanë miratuar shndërrimin, kthehen nga SHKK-ja e rezultuar nga shndërrimi, në përfundim të procesit të shndërrimit, duke zbatuar kërkesat e nenit 15, të këtij ligji, në lidhje me përfundimin vullnetar të anëtarësisë.

            13. SHKK-ja e rezultuar nga shndërrimi i Unionit i nënshtrohet mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe akteve nënligjore, të nxjerra në bazë të tij.

Neni 58

 

Miratimi dhe refuzimi i shndërrimit

            1. Banka e Shqipërisë miraton shndërrimin e Unionit në SHKK, nëse plotësohen kërkesat e neneve 55 dhe 56, të këtij ligji.

            2. Banka e Shqipërisë refuzon dhënien e miratimit, nëse:

            i) gjykon se shndërrimi dëmton tregun e SHKK-ve, si dhe ekonominë kombëtare;

            ii) çmon se nga SHKK-ja, e cila do të rezultojë nga shndërrimi i Unionit, mund të ketë një gjendje financiare të përkeqësuar ose nuk mund të respektojë normat mbikëqyrëse;

            iii) procesi i shndërrimit mund të shkaktojë dëm financiar tek anëtarët e SHKK-ve, anëtare në Union;

            iv) kapitali i SHKK-së së rezultuar pas shndërrimit bie nën nivelin e kapitalit fillestar minimal të kërkuar për licencimin e një SHKK-je;

            v) nuk plotësohen kushtet dhe detyrimet e Skemës së Sigurimit të Depozitave.

            3. Vlerësimi i Bankës së Shqipërisë për miratimin e shndërrimit shërben edhe për pajisjen me licencë të SHKK-së, sipas kërkesave të nenit 59, të këtij ligji, dhe SHKK-ja e rezultuar nga shndërrimi i Unionit nuk i nënshtrohet një procedure të re licencimi.

 

Neni 59

 

Regjistrimi në QKR dhe pajisja me licencën e re

 

            1. Procesi i shndërrimit të Unionit në SHKK hyn në fuqi me regjistrimin pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, të vendimit për shndërrim të Asamblesë së Përgjithshme të Unionit, vendimit të SHKK-ve anëtare në Union, të cilat kanë miratuar shndërrimin, si dhe vendimin e Bankës së Shqipërisë për miratimin e shndërrimit.

            2. Me regjistrimin në QKR të SHKK-së së rezultuar nga shndërrimi i Unionit, QKR-ja çregjistron, pa likuidim, SHKK-të anëtare në Union, asambletë e përgjithshme të së cilave kanë miratuar procesin e shndërrimit, si dhe Unionin.

            3. Menjëherë pas regjistrimit në QKR, SHKK-ja e rezultuar nga shndërrimi i Unionit paraqet në Bankën e Shqipërisë ekstraktin e lëshuar nga QKR-ja për regjistrimin e saj dhe ekstraktet e çregjistrimit të SHKK-ve anëtare në Union, asambletë e përgjithshme të së cilave kanë miratuar procesin e shndërrimit dhe të Unionit.

            4. Banka e Shqipërisë revokon licencat e SHKK-ve, anëtare në Union, asambletë e përgjithshme të së cilave kanë miratuar procesin e shndërrimit dhe të Unionit, dhe pajis SHKK-në e rezultuar nga shndërrimi i Unionit me licencën e re, një kopje e së cilës i dërgohet ASD-së.

            5. SHKK-ja e rezultuar nga shndërrimi i Unionit nuk ushtron asnjë veprimtari financiare, nga momenti i regjistrimit në QKR deri në momentin e pajisjes me licencë nga Banka e Shqipërisë.

            6. Regjistrimi i shndërrimit të Unionit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit bën që:

            a) Unioni, i cili shndërrohet, të vazhdojë të ekzistojë në formën ligjore të një SHKK-je;

            b) anëtarët e SHKK-ve, anëtare në Union, marrin pjesë në cilësinë e anëtarit të SHKK-së, në SHKK-në e rezultuar nga shndërrimi i Unionit.

KREU X

MBIKËQYRJA

Neni 60

 

Autoriteti mbikëqyrës

   1. Banka e Shqipërisë është autoriteti mbikëqyrës, i cili licencon, rregullon dhe mbikëqyr funksionimin e SHKK-ve dhe unioneve të tyre, bazuar në dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

   2. Banka e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë çdo informacion të nevojshëm nga SHKK-të, unionet e tyre ose anëtarët e SHKK-ve dhe anëtarët e Unionit, me qëllim ushtrimin e funksionit licencues, rregullues dhe mbikëqyrës. SHKK-të, unionet e tyre ose anëtarët e SHKK-ve dhe anëtarët e Unionit janë të detyruar t’i japin Bankës së Shqipërisë çdo informacion të kërkuar.

Neni 61

 

Qëllimi i mbikëqyrjes

            Ushtrimi i funksionit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ndaj SHKK-ve dhe unioneve ka për qëllim:

            a) sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të SHKK-ve;       

            b) mbrojtjen e mjeteve monetare të grumbulluara në SHKK;

            c) përputhshmërinë e veprimtarisë së SHKK-ve me dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Neni 62

 

Ushtrimi i mbikëqyrjes

            1. Banka e Shqipërisë realizon procesin e mbikëqyrjes nëpërmjet:

            a) licencimit;

            b) hartimit dhe miratimit të kuadrit rregullator;

            c) analizës financiare dhe parashikuese, verifikimit të të dhënave të raportuara periodikisht nga SHKK-të;

            ç) inspektimeve të plota dhe të pjesshme të veprimtarisë financiare të SHKK-së;

            d)         zbatimit të masave mbikëqyrëse, sanksioneve dhe gjobave, sipas parashikimeve të këtij ligji.

            2. SHKK-të dhe Unioni vënë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë dokumentacionin e nevojshëm, me qëllim realizimin e procesit të mbikëqyrjes.

            3. Banka e Shqipërisë, në përmbushjen e funksionit të saj mbikëqyrës, vlerëson ligjshmërinë dhe rregullshmërinë e ushtrimit të veprimtarisë financiare, aftësinë e një SHKK-je dhe Unionit për administrimin e rrezikut dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore e kërkesave mbikëqyrëse, jep rekomandime, si dhe merr masa mbikëqyrëse e sanksione, me qëllim eliminimin e shkeljeve dhe parregullsive të vërejtura dhe për përmirësimin e situatës financiare të SHKK-së ose Unionit.

Neni 63

 

Objekti i mbikëqyrjes ndaj SHKK-ve

            Ushtrimi i funksionit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ndaj SHKK-ve, të cilat nuk janë objekt i monitorimit të Unionit, si dhe SHKK-ve, të cilat nuk janë anëtare në Union, ka si objekt kryesor, por pa u kufizuar në elementët e mëposhtëm:

            a) vlerësimin e situatës financiare të SHKK-ve, duke përfshirë në këtë vlerësim aftësinë paguese, cilësinë e aktiveve, cilësinë e kapitalit, rezultatin financiar të SHKK-ve, si dhe drejtimin e përgjegjshëm dhe efektiv;

            b) vlerësimin e cilësisë së sistemit të administrimit të rrezikut dhe të kontrollit të brendshëm të SHKK-ve;

            c) vlerësimin e zbatimit të rregullave në dhënien e kredive;  

            ç)         vlerësimin e zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga dispozitat ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

 

Neni 64

 

Objekti i mbikëqyrjes ndaj Unionit

            1. Ushtrimi i funksionit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ndaj Unionit ka si objekt kryesor, por pa u kufizuar në elementët e mëposhtëm:

            a) vlerësimin e situatës financiare të Unionit, duke përfshirë në këtë vlerësim aftësinë paguese, likuiditetin, cilësinë e aktiveve, cilësinë e kapitalit, rezultatin financiar të Unionit;

            b) vlerësimin e parimeve, metodave dhe standardeve të ushtrimit të monitorimit ndaj SHKK-ve nga ana e Unionit;

            c) mënyrën e zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive që Unioni ka ndaj SHKK-ve anëtare;

            ç) vlerësimin e cilësisë së sistemit të administrimit të rrezikut dhe të kontrollit të brendshëm të Unionit;

            d) vlerësimin e zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga dispozitat ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;

            dh)  vlerësimin e mënyrës së zbatimit nga ana e Unionit të neneve 46, 47, 48 dhe 49 të këtij ligji.

            2. Banka e Shqipërisë ka të drejtë t’i rekomandojë Unionit ndryshime në mënyrën dhe parimet e ushtrimit të monitorimit në SHKK.

Neni 65

 

Mjaftueshmëria e kapitalit dhe administrimi i rrezikut

 

            1. SHKK-ja dhe Unioni, për ushtrimin e veprimtarisë së saj në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme, si dhe për përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj kreditorëve, mban kapitalin në një nivel të mjaftueshëm dhe administron rrezikun, sipas kërkesave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

            2. SHKK-ja dhe Unioni sigurojnë që treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit, që përcaktohet si raporti në përqindje i kapitalit të shoqërisë ndaj zërave të aktivit të bilancit dhe të zërave jashtë bilancit, të ponderuara me rrezik, të jetë jo më pak se 10 për qind gjatë dy viteve të para të ushtrimit të veprimtarisë financiare dhe në çdo kohë, sipas përcaktimeve të Bankës së Shqipërisë, por jo më pak se 12 për qind.

            3. Banka e Shqipërisë, në rastet kur konstaton se profili i rrezikut të SHKK-së dhe i Unionit është i lartë, mund të përcaktojë me akte nënligjore një nivel më të lartë të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit se niveli i përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, si dhe kërkesa të tjera në lidhje me administrimin e rrezikut.

            4. Përveç përcaktimeve të mësipërme, Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor llojet e rreziqeve dhe mënyrën e administrimit të tyre nga ana e SHKK-së dhe Unionit.

Neni 66

 

Parandalimi i pastrimit të parave

            SHKK-ja dhe Unioni, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, zbatojnë legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.

 

Neni 67

 

Mbrojtja ligjore gjatë ushtrimit të detyrës

            1. Banka e Shqipërisë, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, administratorët, çdo punonjës i saj, si dhe drejtuesi dhe punonjësit e njësisë organizative përgjegjëse për ushtrimin e monitorimit të SHKK-ve, sipas përcaktimeve të neneve 46, 47, 48 dhe 49, të këtij ligji, nuk janë përgjegjës për dëmet e shkaktuara të tretëve nga veprimet ose mosveprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës funksionale dhe përmbushjes së përgjegjësive të tyre ligjore, të përcaktuara me këtë ligj.

            2. Punonjësit e Bankës së Shqipërisë, si dhe drejtuesi dhe punonjësit e njësisë organizative përgjegjëse për ushtrimin e monitorimit të SHKK-ve, përjashtimisht, mund të përgjigjen për dëmet që u shkaktojnë personave fizikë ose juridikë privatë vetëm kur provohet se ata kanë vepruar me keqbesim.

            3. Në rastet kur punonjësi i paditur, në bazë të pikës 2, të këtij neni, deklarohet i pafajshëm, me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente, Banka e Shqipërisë ose Unioni, sipas rastit, janë të detyruar t’i rimbursojnë atij shumën e plotë të shpenzimeve të kryera për të realizuar përfaqësimin dhe mbrojtjen e tij ligjore.

            4. Dispozitat e ligjit nr. 8510, datë 15.7.1999, “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, nuk zbatohen për të përcaktuar përgjegjësinë jashtëkontraktore të Bankës së Shqipërisë, si dhe të organeve apo punonjësve të saj.

Neni 68

 

Detyrimi për ruajtjen e sekretit profesional

            1. Administratorët, të punësuarit, autoritetet gjyqësore, inspektorët apo nëpunësit e tjerë të Bankës së Shqipërisë, si dhe drejtuesi dhe punonjësit e njësisë organizative përgjegjëse për ushtrimin e monitorimit të SHKK-ve nga ana e Unionit, për çdo informacion që marrin gjatë ushtrimit të veprimtarisë dhe inspektimeve në SHKK, ruajnë sekretin dhe nuk e përdorin atë për përfitime vetjake ose për të tretët.

            2. Informacioni i përshkruar në pikën 1, të këtij neni, mund t’i jepet vetëm Bankës së Shqipërisë, ekspertit kontabël të regjistruar të SHKK-së, administratorëve, agjentëve, nëpunësve të çdo sistemi informacioni ose shërbimi zyrtar, administratorit të përkohshëm/kujdestarit dhe likuidatorit të emëruar nga Banka e Shqipërisë, si dhe institucioneve që e fitojnë këtë të drejtë me ligj dhe kur e kërkon mbrojtja e interesave të SHKK-së në procedurat ligjore.

NËNKreu I

LICENCIMI

Neni 69

 

Licencimi

            1. Banka e Shqipërisë është autoriteti që licencon SHKK-në dhe Unionin për të ushtruar veprimtaritë financiare, në përputhje me këtë ligj.

            2. E drejta për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë financiare lind vetëm pasi SHKK-ja dhe Unioni pajisen me licencë nga Banka e Shqipërisë dhe me certifikatën e sigurimit të depozitave, sipas ligjit nr. 53/2014 “Për sigurimin e depozitave”.

            3. SHKK-ja paraqet kërkesën për licencim pasi është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

            4. SHKK-ja nuk mund të ushtrojë aktivitet nga momenti i regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit deri në momentin e licencimit nga Banka e Shqipërisë.

            5. SHKK-ja, pas licencimit nga Banka e Shqipërisë, dorëzon në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit një kopje të licencës.

            6. Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor kapitalin minimal, kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për t’u plotësuar nga SHKK-ja gjatë procesit të licencimit.

            7. Banka e Shqipërisë kërkon informacion nga çdo person, nëse nga rrethanat e faktit konkludon se personi ushtron veprimtari financiare pa licencë, si dhe u kërkon institucioneve kompetente ndalimin e veprimtarive të mësipërme dhe marrjen e masave përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi. Në rastin e mësipërm, personi është i detyruar t’i japë Bankës së Shqipërisë të gjithë informacionin e kërkuar prej saj.

Neni 70

Karakteristikat e licencës

            1. Licenca është e pakufizuar në kohë, e patransferueshme dhe e patjetërsueshme.

            2. Licenca përmban emrin e SHKK-së ose të Unionit.

            3. Licenca ka si pjesë përbërëse të saj aneksin e veprimtarive financiare, për të cilat SHKK-ja është licencuar nga Banka e Shqipërisë.

            4. Banka e Shqipërisë ka të drejtë të revokojë licencën, në rast se SHKK-ja, nuk zbaton dispozitat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, si dhe të ligjit për sigurimin e depozitave.

Neni 71

 

Kushti i sigurimit të depozitave

            1. SHKK-ja nuk mund të ushtrojë veprimtarinë pa realizuar sigurimin e depozitave, sipas dispozitave të ligjit nr. 53/2014 “Për sigurimin e depozitave”.

            2. Banka e Shqipërisë bashkëpunon dhe bashkërendon veprimet me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave gjatë procesit të licencimit.

Neni 72

Kriteret për dhënien ose refuzimin e licencës

            1. Banka e Shqipërisë, brenda 3 muajve nga data e pranimit të kërkesës për licencë, jep ose refuzon licencën dhe njofton, me shkrim, SHKK-në për vendimin e saj. Në kuptim të këtij paragrafi, datë e pranimit të kërkesës për licencë është data kur SHKK-ja ka plotësuar të gjitha kërkesat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

            2. Banka e Shqipërisë jep licencën vetëm kur krijon bindjen se:

            a) SHKK-ja plotëson kërkesat dhe dokumentacionin e përcaktuar në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij;

            b) plani i biznesit, i paraqitur, është real dhe gjendja e pritshme financiare e SHKK-së është e kënaqshme.

            3. Banka e Shqipërisë refuzon miratimin paraprak të licencës për SHKK-në kur ajo:

            a) nuk plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni;

            b) nuk plotëson informacionin shtesë, të kërkuar nga Banka e Shqipërisë;

            c) nuk posedon shumën e kapitalit fillestar minimal, të kërkuar nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar veprimtari financiare;

            ç)         nuk plotëson kushtet për përfshirjen në Skemën e Sigurimit të Depozitave;

            d)         cenohet gjendja dhe stabiliteti i sistemit financiar;

            dh) konstatohet se SHKK-ja ka ushtruar veprimtari gjatë periudhës nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit deri në datën e pajisjes me licencë nga Banka e Shqipërisë.

            4. Banka e Shqipërisë, kur e çmon të nevojshme, kryen verifikime në vend për vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur.

            5. SHKK-ja, pas miratimit të licencës, respekton, në çdo kohë, të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore për mbikëqyrjen dhe për raportimin e veprimtarisë së saj.

Neni 73

Komisionet për licencë

            1. Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor komisionin për dhënien e licencës.

            2. Komisioni, i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, paguhet me paraqitjen e kërkesës dhe të dokumentacionit për marrjen e licencës.

            3. Ky komision nuk rimbursohet edhe në rast të refuzimit të dhënies së licencës nga Banka e Shqipërisë.

 

Neni 74

Publikimi dhe botimi i vendimit për dhënien e licencës

            Banka e Shqipërisë boton vendimin për dhënien e licencës në “Buletinin zyrtar”  të Bankës së Shqipërisë.

Neni 75

 

Detyrimi për njoftim

            1. SHKK-ja njofton menjëherë Bankën e Shqipërisë, në rastet kur:

            a) pozicionet e rrezikut arrijnë kufijtë maksimalë të lejuar, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij;

            b) vlerësohet se ka shkaqe të justifikuara për ndërprerjen ose pezullimin e ndonjë veprimtarie financiare të lejuar;

            c) raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ose treguesi i likuiditetit, të përcaktuar në aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë, bie nën nivelin minimal të kërkuar;

            ç) kapitali i SHKK-së bie nën nivelin e kapitalit fillestar minimal të kërkuar për fillimin e veprimtarisë;

            d) vlerësohet se ka shkaqe për revokimin e licencës.

            2. SHKK-ja njofton Bankën e Shqipërisë brenda 30 ditëve kalendarike për:

            a) ndryshimin e emrit;

            b)         ekspozimet e mëdha, sipas përcaktimeve në aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë;

            c)         ndryshimin e adresës së selisë;

            ç) largimin e administratorit;

            d) ndryshimin e statutit;

            dh) çdo ndryshim tjetër që është i detyrueshëm për regjistrim në regjistrin tregtar.

            3. Banka e Shqipërisë mund të përcaktojë, me akt nënligjor, raste të tjera, përveç atyre të përcaktuara në këtë nen, për të cilat SHKK-ja detyrohet të njoftojë Bankën e Shqipërisë.

NËNKREU II

MASAT MBIKËQYRËSE DHE SANKSIONET

Neni 76

 

Shkeljet për të cilat jepen masat

            1. Banka e Shqipërisë dhe Unioni, në përputhje me përcaktimet e nenit 49, të këtij ligji, vendosin masat e parashikuara në nenet 77 dhe 78, të këtij ligji, në rast se SHKK-ja  ose Unioni:

            a) ushtron veprimtari financiare të paparashikuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij;

            b) nuk respekton standardet dhe kërkesat ligjore e rregullative për ushtrimin e një veprimtarie të sigurt dhe të qëndrueshme;

            c) nuk respekton normat mbikëqyrëse për administrimin e rrezikut;

            ç) kryen shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij;

            d) statuti përmban rregullime, të cilat janë në kundërshtim me këtë ligj;

            dh) nuk është pranuar ose është refuzuar kërkesa e Bankës së Shqipërisë për ndërprerjen e veprimeve, në kundërshtim me ligjin ose aktet nënligjore, ose nuk janë marrë masat përkatëse për eliminimin e shkeljeve, sipas afateve të caktuara nga Banka e Shqipërisë;

            e) ka shkelje të ligjit “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit;

            ë) nuk kryen raportimet në Regjistrin e Kredive;

            f) nuk jep informacion ose nuk jep informacion të vërtetë dhe të saktë gjatë inspektimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë dhe monitorimit të ushtruar nga Unioni, si dhe në raportimet dhe korrespondencën me Unionin dhe Bankën e Shqipërisë;

            g) ka probleme serioze në sistemet dhe në programet e kontrollit të brendshëm, në politikat e veprimtarisë, në metodat e operacioneve ose në sistemet e informacionit të administrimit të saj, pavarësisht se këto probleme kanë ndikuar ose jo në gjendjen financiare të shoqërisë së kursim-kreditit;

            gj) nuk respektohen kërkesat e këtij ligji në lidhje me përfundimin e anëtarësisë së anëtarëve të SHKK-së ose të anëtarëve të Unionit;

            h) ka fakte konkrete, lidhur me abuzime të brendshme, përfshirë edhe shpërblime të larta dhe të pajustifikuara për anëtarët e organeve drejtuese, pavarësisht faktit se shoqëria e kursim-kreditit, aktualisht, nuk rezulton e dëmtuar;

            i) ka shkelje të vullnetshme ose flagrante të akteve ligjore dhe nënligjore nga personeli dhe organet drejtuese ose përsëritje të tyre, të cilat kanë sjellë përfitime materiale apo favore;

            j) në rast se nuk thirret asambleja e përgjithshme ose pengohet pjesëmarrja e anëtarëve në mbledhjet e asamblesë së përgjithshme;

            k) ka shkelur detyrimin për sigurimin e depozitave, sipas ligjit “Për sigurimin e depozitave”;

            l) nuk ka arritur objektivat e përcaktuara në planin e rimëkëmbjes.

            2. Masat e përcaktuara në nenet 77 dhe 78, të këtij ligji, jepen nga Banka e Shqipërisë edhe për Unionin, në rast se konstatohen shkelje të këtij neni dhe të akteve nënligjore.

Neni 77

Masa mbikëqyrëse

            Banka e Shqipërisë dhe Unioni, në përputhje me përcaktimet e nenit 49, të këtij ligji, në përfundim ose gjatë inspektimeve apo kontrolleve, si dhe në çdo rast kur konstaton shkelje ose problematika të veçanta, të përcaktuara në nenin 76, pika 1, shkronjat “c”, “ç“, “d”, “e”, “ë”, “g”, “gj”, “j”, dhe “l”, të këtij ligji, vendosin masat mbikëqyrëse të mëposhtme:

            a) urdhëron ndërprerjen e veprimeve në kundërvajtje dhe marrjen e masave për përmirësimin e situatës;

            b) urdhëron uljen e shpenzimeve;

            c) urdhëron kufizimin e rritjes së mjeteve financiare, duke përfshirë zërat jashtë bilancit me rrezik;

            ç) urdhëron ndalimin e rritjes së ekspozimit ndaj një anëtari ose pale të tretë;

      d) urdhëron SHKK-në ose Unionin të kryejnë riorganizimin juridik të tyre ose shndërrimin e Unionit në SHKK;

            dh) urdhëron rritjen e kapitalit;

            e) cakton norma mbikëqyrëse më të larta se ato të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij;

      ë)   urdhëron këshillin drejtues të thërrasë mbledhjen e asamblesë së përgjithshme dhe t’i propozojë marrjen e vendimeve përkatëse;

            f) ndalon ose kufizon përdorimin e lirë të një pjese apo të të gjitha aktiveve, duke përfshirë dhe veprimtarinë që lidhet me dhënien e huave dhe investimeve, sipas rregullave të miratuara nga Banka e Shqipërisë;

            g) urdhëron përshtatjen e statutit, në rast se nuk respektohen rekomandimet e lëna gjatë inspektimeve në lidhje me statutin;

            gj)        urdhëron SHKK-në të përgatisë një plan rimëkëmbjeje, në të cilin të përcaktohen masat që duhet marrë SHKK-ja për të përmirësuar situatën financiare;

            h) kur raporti ndërmjet kapitalit të SHKK-së e aktiveve të saj me rrezik dhe zërave jashtë bilancit është më i ulët se gjysma e raportit minimal të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe pasi ajo ka marrë një ose disa nga masat e përcaktuara në këtë nënkre, ka të drejtë t’i kërkojë SHKK-së të rregullojë situatën brenda 6 muajve. SHKK-ja paraqet një plan veprimi, në të cilin përcakton mënyrën se si do të arrijë të rregullojë situatën. Në rast se SHKK-ja nuk arrin të marrë masat e përcaktuara në planin e veprimit, Banka e Shqipërisë fillon likuidimin e detyrueshëm;

            i) urdhëron shitjen e depozitave dhe kredive, si dhe të drejtave dhe detyrimeve të tjera pranë një banke apo SHKK-je tjetër.

 

Neni 78

 

Sanksione dhe gjoba

 

            1. Banka e Shqipërisë dhe Unioni, në përputhje me përcaktimet e nenit 49, të këtij ligji, në përfundim ose gjatë inspektimeve, si dhe në çdo rast kur konstatojnë shkelje ose problematika të veçanta, të përcaktuara në nenin 76, pika 1, shkronjat “a”, “b”, “dh”, “f“, “h”,  “i” dhe “k”, të këtij ligji, japin sanksionet ose gjobat e mëposhtme:

            a) urdhëron ndërprerjen e shpërblimit ndaj anëtarëve të këshillit drejtues dhe administratorit;

            b) shkarkon nga detyrat anëtarët e këshillit drejtues, anëtarët e komitetit të kontrollit dhe administratorin, në rast të përsëritjes së shkeljeve të parashikuara në nenin 76 ose kur, si pasojë e shkeljeve, është cenuar qëndrueshmëria financiare e SHKK-së;

            c) pezullon ushtrimin e një ose disa veprimtarive për një periudhë të caktuar;

            ç) revokon licencën dhe fillon procedurat e likuidimit të detyrueshëm, në rast se SHKK-ja është në kushtet e mungesës së aftësisë paguese ose mungesës së likuiditetit;

            d) vendos gjoba, deri në 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, për anëtarët e këshillit drejtues, anëtarët e komitetit të kontrollit, administratorin, SHKK-në ose Unionin. Gjobat janë tituj ekzekutivë dhe për ekzekutimin e tyre ngarkohet zyra e përmbarimit.

            2. Banka e Shqipërisë pezullon ose revokon të drejtën e Unionit për ushtrimin e monitorimit ndaj SHKK-ve anëtare, në rast se konstaton se Unioni nuk ushtron të drejtën e monitorimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Në këtë rast, SHKK-të, të cilat janë subjekt monitorimi, do të mbikëqyren në mënyrë direkte nga Banka e Shqipërisë.

Neni 79

 

Kërkesa të veçanta në lidhje me masat mbikëqyrëse, sanksionet dhe gjobat

            1. Për vendosjen e masave të parashikuara në nenet 77 dhe 78, të këtij ligji, Banka e Shqipërisë vlerëson:

            a) rrethanat e kryerjes së shkeljeve;

            b) pasojat e shkeljes;

            c) përsëritjen e shkeljeve.

            2. Banka e Shqipërisë përshkallëzon masat ndëshkimore në rastet kur SHKK-ja ose Unioni nuk zbatojnë një ose më shumë nga masat e mësipërme.

            3. Banka e Shqipërisë mund të marrë, njëkohësisht, masa, të cilat janë të përcaktuara në nenet 77 dhe 78, të këtij ligji, duke respektuar kërkesat e pikës 1 të këtij neni.

Neni 80

 

Ankimi administrativ dhe gjyqësor

            1. Çdo subjekt, ndaj të cilit janë marrë masat e parashikuara në nenet 77 dhe 78, të këtij ligji, ka të drejtë të kryejë ankim administrativ te Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për aktin.

            2. Realizimi i ankimit administrativ te Guvernatori, sipas pikës 1, të këtij neni, është kusht i domosdoshëm, me qëllim ezaurimin e rekursit administrativ dhe për t’i dhënë mundësi subjektit të cenuar për t’iu drejtuar gjykatës.

            3. Ankimi administrativ, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk pezullon zbatimin e aktit administrativ të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë.

            4. Ndryshe nga sa parashikohet në pikën 3, të këtij neni, Banka e Shqipërisë vendos pezullimin e zbatimit të aktit administrativ në rastet kur vlerëson se interesat e depozituesve dhe siguria apo stabiliteti i veprimtarisë së Unionit ose SHKK-së dhe atij financiar në tërësi mund të cenohen apo rrezikohen nga zbatimi i aktit.

            5. Ankimi administrativ paraqitet në formën e parashikuar në Kodin e Procedurave Administrative.

            6. Subjekti ka të drejtë të paraqesë ankim gjyqësor në gjykatën administrative të apelit në përfundim të procesit të ankimit administrativ.

KREU XI

LIKUIDIMI

Neni 81

 

Llojet e likuidimit

            SHKK-ja, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, likuidohet në dy mënyra si më poshtë:

            a) me likuidim vullnetar;

            b) me likuidim të detyruar.

NËNKREU I

LIKUIDIMI VULLNETAR

Neni 82

 

Fillimi i likuidimit vullnetar

 

            1. Vendimi për fillimin e likuidimit vullnetar propozohet nga këshilli drejtues dhe merret nga jo më pak se tre të katërtat e anëtarëve të asamblesë së përgjithshme. Anëtarët njoftohen, të paktën, 30 ditë përpara për organizimin e kësaj mbledhjeje.

            2. Këshilli drejtues paraqet për miratim në Bankën e Shqipërisë kërkesën për likuidim vullnetar.

            3. Kërkesa për likuidimin vullnetar shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:

            a) vendimin e asamblesë së përgjithshme të SHKK-së në lidhje me likuidimin;

            b)  arsyet e likuidimit;

            c)         emrat e propozuar të likuidatorëve nga ana e asamblesë së përgjithshme;

            ç)         një raport të detajuar, në lidhje me trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim gjatë likuidimit, të ardhurat dhe shpenzimet, si dhe një parashikim të kohëzgjatjes së procesit.

            4. Likuidatori mund të përzgjidhet nga lista e administratorëve të falimentit.

            5. Banka e Shqipërisë merr vendim mbi kërkesën e paraqitur, brenda 60 ditëve kalendarike nga data e marrjes së saj. Banka e Shqipërisë jep miratimin për likuidim vullnetar vetëm kur krijon bindjen se mund të paguhen të gjitha detyrimet ndaj anëtarëve dhe kreditorëve të shoqërisë. Organet drejtuese të SHKK-së, gjatë kësaj periudhe, kryejnë vetëm administrim të zakonshëm dhe nuk marrin përsipër detyrime të reja të SHKK-së ndaj anëtarëve dhe palëve të treta.

            6. Vendimi i asamblesë së përgjithshme të anëtarëve nuk prodhon efekte juridike, në rast se Banka e Shqipërisë e refuzon dhënien e miratimit për fillimin e likuidimit vullnetar.

            7. Banka e Shqipërisë publikon vendimin për dhënien e miratimit për fillimin e likuidimit vullnetar në “Buletinin zyrtar” të Bankës së Shqipërisë.

Neni 83

 

Efektet juridike të likuidimit vullnetar

 

            1. SHKK-ja, e cila është në likuidim vullnetar, vazhdon ekzistencën e saj, me qëllim shlyerjen e detyrimeve, pagimin e shpenzimeve dhe të detyrimeve ndaj të tretëve e anëtarëve, mbledhjen e kredive të saj, shpërndarjen e aktiveve dhe kryerjen e çdo veprimi të nevojshëm për përfundimin e likuidimit vullnetar.

            2. Banka e Shqipërisë, së bashku me vendimin për miratimin e fillimit të likuidimit vullnetar, mund të përcaktojë se deri në çfarë mase zbatohen rregullat e administrimit të rrezikut në shoqërinë e sigurimit në likuidim. Depozitat e anëtarëve të SHKK-së, e cila është pjesë e Skemës së Sigurimit të Depozitave në momentin e miratimit të likuidimit vullnetar nga asambleja e përgjithshme, mbeten të siguruara deri në përfundim të procesit të likuidimit vullnetar, sipas dispozitave të legjislacionit për sigurimin e depozitave.

 

Neni 84

 

Shkarkimi i likuidatorit

 

            1. Likuidatori shkarkohet dhe zëvendësohet me të njëjtat kushte, të parashikuara në dispozitat për emërimin e tij.

            2. Paditë që lidhen me shpërblimin e likuidatorit, në bazë të marrëdhënieve kontraktore me SHKK-në, rregullohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Neni 85

 

Regjistrimi pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit

 

            1. Likuidatori i njofton për regjistrim Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të dhënat e tij dhe tagrat, për të përfaqësuar SHKK-në, së bashku me dokumentet përkatëse, sipas nenit 43, të ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.

            2. Me hapjen e procedurave të likuidimit, emri i regjistruar i SHKK-së përmban shënimin “në likuidim vullnetar”.

 

Neni 86

 

Administrimi nga likuidatori

 

            1. Likuidatori merr përsipër të drejtat dhe detyrimet e administratorëve nga data e emërimit të tij.

            2. Nëse SHKK-ja emëron më shumë se një likuidator, përveçse kur akti i emërimit parashikon se ata veprojnë veçmas njëri-tjetrit, likuidatorët ushtrojnë bashkërisht të drejtat e detyrimet, sipas këtij ligji. Likuidatorët mund të autorizojnë njërin prej tyre të kryejë veprime të një kategorie të posaçme.

            3. Likuidatori i nënshtrohet mbikëqyrjes së asamblesë së përgjithshme.

 

Neni 87

 

Të drejtat e detyrimet e likuidatorit

 

            1. Detyra e likuidatorit është mbyllja e të gjitha veprimeve të SHKK-së, mbledhja e kredive të paarkëtuara, shitja ose disponimi, në çdo mënyrë tjetër, i pasurive të shoqërisë dhe shlyerja e kreditorëve, duke respektuar radhën e referimit, sipas nenit 605 të Kodit Civil.

            2. Nëse, në bazë të pretendimeve të ngritura nga kreditorët, likuidatori vëren se pasuria e SHKK-së nuk është e mjaftueshme për pagesën e këtyre pretendimeve, likuidatori pezullon procedurën e likuidimit dhe i kërkon Bankës së Shqipërisë fillimin e procedurave të likuidimit të detyrueshëm.

Neni 88

 

Bilanci kontabël

 

            Likuidatori përgatit një bilanc kontabël të gjendjes financiare të SHKK-së pas emërimit si likuidator. Nëse procedura e likuidimit zgjat më shumë se një vit, likuiduesi përgatit, gjithashtu, pasqyrat financiare vjetore të SHKK-së. Bilancet duhet të miratohen nga ½ e të gjithë anëtarëve të asamblesë së përgjithshme.

 

Neni 89

 

Ftesa për kreditorët

 

            Likuidatori duhet të ftojë kreditorët e SHKK-së, përjashtuar anëtarët, për të depozituar pretendimet e tyre për likuidimin vullnetar. SHKK-ja e publikon dy herë këtë njoftim, me një interval prej 30 ditësh, në faqen e saj në internet, nëse ka, si dhe në faqen e internetit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

 

Neni 90

 

Mbrojtja e kreditorëve

 

            1. Likuidatori nuk mund të shpërndajë aktivet e mbetura përpara përfundimit të afatit 3-mujor, nga publikimi i thirrjes së dytë, drejtuar kreditorëve, për të depozituar pretendimet e tyre.

            2. Nëse një kreditor i SHKK-së, për të cilin likuidatori është në dijeni, nuk kërkon të drejtat e veta, shumat përkatëse depozitohen në llogarinë e SHKK-së në bankë. Kjo shumë nuk mund të sekuestrohet për detyrimet e tjera të SHKK-së. Në përfundim të likuidimit vullnetar, këto shuma i dhurohen SHKK-së më të vogël, e cila ushtron aktivitetin në të njëjtën zonë ose në zonën më të afërt.

            3. Nëse një detyrim nuk mund të shlyhet menjëherë ose për të cilin ka pretendime, aktivet mund të shpërndahen vetëm nëse kreditorit i është dhënë garanci e përshtatshme.

Neni 91

 

Shpërndarja e aktiveve

 

            1. Pas shlyerjes së detyrimeve ndaj kreditorëve dhe anëtarëve, likuidatori shpërndan aktivet e mbetura tek anëtarët. Në rast se aktivet e mbetura nuk janë të mjaftueshme për të gjithë anëtarët, atëherë do të ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet tyre.

            2. Pasuritë që i janë dhënë SHKK-së me qira apo në përdorim, me çfarëdo titulli, u kthehen pronarëve.

Neni 92

 

Raporti i likuidatorit dhe shpërblimi

 

            1. Pas shlyerjes së detyrimeve të shoqërisë ndaj kreditorëve dhe anëtarëve, likuidatori i paraqet Bankës së Shqipërisë, brenda 12 muajve, një raport për procedurën e likuidimit, për detyrimet e shlyera dhe propozimin për shpërblimin e tij.

            2. Në rast se Banka e Shqipërisë nuk miraton raportin, atëherë likuidatori duhet të plotësojë raportin sipas rekomandimeve të Bankës së Shqipërisë.

 

Neni 93

 

Përfundimi i likuidimit

 

            1. Banka e Shqipërisë revokon licencën e SHKK-së pas miratimit të raportit të likuidatorit, të përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji.

            2. Pas revokimit të licencës nga Banka e Shqipërisë, likuiduesi njofton Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për përfundimin e likuidimit dhe kërkon çregjistrimin e SHKK-së, në përputhje me seksionin V, të ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të ndryshuar.

Neni 94

 

Përgjegjësia e likuidatorit

 

            Veprimtaria e likuidatorit nuk mund të kundërshtohet pas çregjistrimit të SHKK-së nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

 

NËNKREU II

LIKUIDIMI I DETYRUAR

Neni 95

 

Fillimi i likuidimit të detyruar

            Banka e Shqipërisë vendos në likuidim të detyruar SHKK-në kur konstaton ekzistencën e një ose më shumë prej kushteve të mëposhtme:

            1. SHKK-ja nuk paguan detyrimet financiare të saj, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj, në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij dhe në statut.

            2. Mjaftueshmëria e kapitalit të SHKK-së është më pak se 50 për qind e raportit minimal të përcaktuar në këtë ligj ose në aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë.

            3. Vlera e aktiveve të SHKK-së është më pak se vlera e detyrimeve të saj.

            4. SHKK-ja nuk është në gjendje të përmbushë kërkesat e anëtarëve të saj për ripagimin e depozitave të tyre.

            5. Gjatë ushtrimit të mbikëqyrjes së SHKK-së konstatohet se aktivet janë të pamjaftueshme për të përmbushur detyrimet e kreditorëve ose gjendja financiare e SHKK-së nuk mundëson ushtrimin e mëtejshëm të aktivitetit.

            6. Kur vlerësohet nga Banka e Shqipërisë se SHKK-ja nuk mund të përmbushë detyrimet ndaj kreditorëve gjatë likuidimit vullnetar.

            7. Kur anëtarët e SHKK-së nuk pranojnë të investojnë për të rritur nivelin e kontributeve në kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

            8. Kur Banka e Shqipërisë ka prova të besueshme që anëtarët e këshillit drejtues ose administratorët e SHKK-së janë përfshirë në transaksione të jashtëligjshme, kanë kryer mashtrime të rënda ose kanë përfituar personalisht dhe i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme SHKK-së ose personave të tretë.

            9. Në rastet kur kreditorët e SHKK-së vërtetojnë përpara Bankës së Shqipërisë se 10 për qind ose më shumë e detyrimeve të evidentuara nga bilanci kontabël më i fundit i shoqërisë nuk i janë paguar brenda afatit.

            10. SHKK-ja ka shkelur detyrimet, sipas legjislacionit për sigurimin e depozitave.

Neni 96

 

Vendimi për likuidimin e detyruar

            1. Banka e Shqipërisë ka kompetencën e vlerësimit të situatës dhe është në diskrecionin e saj fillimi i likuidimit të detyrueshëm.

            2. Banka e Shqipërisë vendos SHKK-në në proces likuidimi të detyruar menjëherë pas konstatimit të rrethanave përkatëse, për çdo rast të parashikuar në nenin 95 të këtij ligji.

            3. Banka e Shqipërisë mund të konsultohet me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për fillimin e procesit të likuidimit të detyrueshëm, në lidhje me çështje operacionale.

            4. Banka e Shqipërisë i dërgon Agjencisë së Sigurimit të Depozitave një kopje të vendimit për likuidimin e detyruar të SHKK-së.

            5. Vendimi për vendosjen e SHKK-së në proces likuidimi të detyrueshëm botohet në “Buletinin zyrtar” të Bankës së Shqipërisë.

Neni 97

 

Likuidatori

            1. Procesi i likuidimit të detyruar kryhet nga likuidatori i caktuar nga Banka e Shqipërisë.

            2. Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor kriteret kualifikuese dhe skualifikuese të likuidatorit, rastet e konfliktit të interesit, si dhe mënyrën e raportimit të likuidatorit pranë Bankës së Shqipërisë dhe të bashkëpunimit me të.

            3. Likuidatori mund të përzgjidhet edhe nga lista e administratorëve të falimentimit, pa përjashtuar personat e tjerë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Banka e Shqipërisë.

Neni 98

 

Ruajtja e konfidencialitetit nga likuidatori

            Likuidatori respekton kërkesat për ruajtjen e sekretit profesional, të përcaktuara në nenin 68 të këtij ligji.

Neni 99

 

Efektet juridike të likuidimit të detyruar

            1. Vendosja e SHKK-së në likuidim të detyruar krijon efektet juridike të mëposhtme:

            a)         revokimin e licencës së SHKK-së;

            b)         pezullimin dhe mosfillimin e procedurave gjyqësore dhe të ekzekutimit të detyrueshëm ndaj SHKK-së. Këto procedura nuk fillojnë ose, në rast se kanë filluar, pezullohen, me përjashtim të lejes së dhënë nga Banka e Shqipërisë dhe të kushteve të tilla që vendos Banka e Shqipërisë;

            c)         kreditorët e siguruar nuk mund të fillojnë procesin e ekzekutimit të detyrueshëm për pasuritë e lëna si garanci nga SHKK-ja. Këto pasuri disponohen dhe administrohen nga likuidatori dhe shumat e përfituara i paguhen kreditorëve, në përputhje me radhën e shlyerjes së detyrimeve, të përcaktuar në nenin 102 të këtij ligji;

            ç)         pezullimin, për një periudhë 6-mujore, të së drejtës së kompensimit, të cilën e gëzojnë kreditorët e SHKK-së;

            d)         ndalohet kryerja e pagesave të detyrimeve të SHKK-së dhe të interesave. Detyrimet ndaj kreditorëve do të paguhen nga shumat e realizuara nga shitja e pasurive të SHKK-së dhe sipas radhës së shlyerjes së detyrimeve, të përcaktuar në nenin 102 të këtij ligji;

            dh) nuk mund të transferohen ose kthehen kontributet e anëtarëve të SHKK-së;

            e) përfundimi i të gjitha kompetencave dhe përgjegjësive të Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve dhe organeve drejtuese të SHKK-së, si dhe të drejtat e anëtarëve;

            ë)         fillimin e procedurave për kompensimin e depozitave, në përputhje me legjislacionin për sigurimin e depozitave.

            2. Çdo veprim juridik për kryerjen e pagesave ose transferimin e pronësisë të ndonjë pasurie apo prone të SHKK-së është absolutisht i pavlefshëm për rastet e mëposhtme:

            a)         brenda periudhës tremujore, përpara se Banka e Shqipërisë të vendoste SHKK-në në likuidim të detyruar;

            b)         brenda periudhës 12-mujore, përpara se Banka e Shqipërisë të vendoste likuidimin e detyruar, në rast se veprimi juridik është kryer me qëllim preferimi të përfituesit ndaj kreditorëve të tjerë të SHKK-së;

            c)         përtej periudhave të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, në rastet kur likuidatori vërteton qëllimin për të fshehur pasurinë e SHKK-së nga kreditorët ose transaksioni ka ndikuar në gjendjen e paaftësisë paguese të SHKK-së.

            3. Likuidatori depoziton në gjykatën kompetente paditë, sipas pikës 2, të këtij neni.

 

Neni 100

 

Detyrat dhe kompetencat e likuidatorit

            1. Likuidatori ka kompetencë për administrimin e shitjen e pasurive dhe të detyrimeve të SHKK-së, si dhe shpërndarjen ndaj kreditorëve të shumave të realizuara.

            2. Likuidatori bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë dhe zbaton udhëzimet e saj në lidhje me procesin e likuidimit të detyrueshëm.

            3. Likuidatori, menjëherë me emërimin e tij, merr kontrollin mbi SHKK-në, duke siguruar aktivet e saj, librat dhe llogaritë. Ai ka akses mbi të gjitha aktivet, zyrat dhe librat e SHKK-së.

            4. Brenda 30 ditëve kalendarike, nga data e fillimit të procedurave të likuidimit të SHKK-së, likuidatori bën inventarin e aktiveve dhe të pasurive të SHKK-së, përgatit bilancin dhe raportin sqarues, në lidhje me zërat e bilancit, të cilin e paraqet në Bankën e Shqipërisë, dhe një kopje të përshtatshme për konsultim nga personat e interesuar.

            5. Likuidatori synon sigurimin e shumës maksimale nga shitja e aktiveve të SHKK-së dhe kryen veprimet e mëposhtme:

            a) vazhdon ose ndërpret çdo transaksion financiar;

            b) punëson çdo nëpunës, punonjës ose këshilltar profesionist të domosdoshëm;

            c) ekzekuton çdo instrument në emër të SHKK-së, ngre padi ose përfaqëson para gjykatës dhe ndjek në emër të tij çdo veprim ose procedurë ligjore, pasi ka marrë, më parë, miratimin e Bankës së Shqipërisë.

            6. Likuidatori ka të drejtë të përfundojë:

            a) kontratat e punësimit të SHKK-së me çdo person;

            b) kontrata shërbimesh, në të cilat SHKK-ja është palë;

            c) çdo kontratë, ku SHKK-ja është qiramarrës i pasurisë së paluajtshme.

 

Neni 101

 

Detyrimet e pretenduara

 

            1. Brenda një muaji, nga data e emërimit të tij, likuidatori:

            a) dërgon me postë rekomande, sipas adresave në regjistrat e SHKK-së, tek të gjithë depozituesit, kreditorët e tjerë dhe dorëzanësit, një deklaratë për natyrën dhe shumën e detyrimeve të pretenduara të tyre, sipas regjistrave të saj;

            b) regjistron pretendimet e dokumentuara të kreditorëve.

            2. Brenda një muaji pas datës së fundit të njoftimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, që lidhet me detyrimet e pretenduara, likuidatori:

            a) përcakton shumën, në rast se ka, që i detyrohet çdo anëtari depozitues dhe kreditorëve të tjerë, si dhe detyrimet e pretenduara preferuese, sipas dispozitave të këtij ligji;

            b) përgatit për regjistrim në Bankën e Shqipërisë një strukturë për detyrimet e pretenduara;

            c) bashkëpunon me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për kompensimin e depozitave të siguruara, në përputhje me ligjin “Për sigurimin e depozitave”.

            3. Brenda njëzet ditëve, pas regjistrimit të strukturës së detyrimeve të pretenduara, sipas pikës 2, të këtij neni, çdo kreditor ose jo më pak se 10 për qind e anëtarëve të SHKK-së ose Unionit, ka të drejtë të paraqesë pranë Bankës së Shqipërisë kundërshtimet në lidhje me regjistrimin e detyrimeve të prapambetura. Për çdo kundërshtim të paraqitur, Banka e Shqipërisë vendos, brenda 1 muaji nga regjistrimi i ankesës, në lidhje me pranimin ose refuzimin e kundërshtimit.

            4. Në rast se kundërshtimi është pranuar, likuidatori modifikon dhe përmirëson strukturën e detyrimeve të pretenduara ose veprimet e propozuara për shlyerjen e detyrimeve.

Neni 102

 

Radha e shlyerjes së detyrimeve

 

            1. Likuidatori shpërndan aktivet e SHKK-së, duke shlyer detyrimet ndaj kreditorëve, për aq sa është e mundur, sipas radhës së mëposhtme:

            a) kreditorët e siguruar, të cilët nuk mund të ekzekutojnë pasurinë me të cilën sigurohet detyrimi ndaj tyre, për shkak të ndalimeve të këtij ligji, deri në vlerën e shitjes së kolateralit;

            b)         shpenzimet e likuidatorit dhe Bankës të Shqipërisë, të krijuara në funksion të procesit të likuidimit të detyruar, shpenzimet e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në funksion të procesit të kompensimit të depozitave të siguruara, përfshirë edhe detyrimet ndaj ASD-së, deri në vlerën totale të kompensimit të depozitave të siguruara;

            c) pagat e punonjësve të SHKK-së;

            ç) kreditorët e pasiguruar dhe kreditorët e siguruar për vlerën e detyrimit, e cila tejkalon vlerën e shitjes së kolateralit;

            d) depozitat e anëtarëve të SHKK-së, të cilat tejkalojnë shumën e depozitës së siguruar dhe detyrimet ndaj shtetit;

            dh) detyrimet ndaj Unionit;

            e) kontributi i anëtarëve.

            2. Likuidatori shpërndan aktivet e Unionit, duke shlyer detyrimet ndaj kreditorëve, për aq sa është e mundur, sipas radhës së mëposhtme:

            a) kreditorët e siguruar, të cilët nuk mund të ekzekutojnë pasurinë me të cilën sigurohet detyrimi ndaj tyre, për shkak të ndalimeve të këtij ligji, deri në vlerën e shitjes së kolateralit;

            b) shpenzimet e likuidatorit dhe Bankës së Shqipërisë, të krijuara në funksion të procesit të likuidimit të detyruar;

            c) pagat e punonjësve të Unionit;

            ç) kreditorët e pasiguruar dhe kreditorët e siguruar për vlerën e detyrimit, e cila tejkalon vlerën e shitjes së kolateralit;

            d) depozitat e SHKK-ve, anëtare në Union;

            dh) kontributi i SHKK-ve, anëtare në Union.

            3. Në rast se shuma për shlyerjen e kreditorëve të së njëjtës radhë preferimi nuk është e mjaftueshme për të kryer pagesën e plotë të tyre, atëherë këta kreditorë do të shlyhen në përpjesëtim me detyrimin e tyre.

            4. Çdo aktiv që mund të mbetet pas shlyerjes së të gjitha detyrimeve të pretenduara shpërndahet ndërmjet anëtarëve të SHKK-së ose anëtarëve të Unionit, në raport me të drejtat dhe pjesëmarrjen e secilit në kapital.

 

Neni 103

Ankimi gjyqësor

 

            1. Të gjitha detyrimet e pretenduara në lidhje me paaftësinë paguese të SHKK-së në likuidim të detyrueshëm parashtrohen në përputhje me dispozitat e këtij kreu.

            2. Kanë të drejtë të fillojnë procedurat ligjore në gjykatën administrative të apelit, për të kërkuar ndërprerjen e procedurave të likuidimit të detyrueshëm:

            a) 25 për qind e anëtarëve të SHKK-së;

            b) kreditorët që përbëjnë, të paktën, një të tretën në vlerë të totalit të detyrimeve të pretenduara nga kreditorë të tjerë, duke përjashtuar anëtarët.

            3. Gjykata vendos për kërkesëpadinë e bërë, vetëm nëse:

            a) Banka e Shqipërisë ka vepruar në mënyrë arbitrare dhe të pakujdesshme për vendosjen e likuidimit, sipas rrethanave të faktit dhe dispozitave të këtij ligji për likuidimin e detyrueshëm të SHKK-së;

            b) Banka e Shqipërisë, likuidatori dhe nëpunësit profesionistë, të emëruar për të ndihmuar likuidatorin, janë përgjegjës ose jo për dëmet e shkaktuara nga veprimet ose mosveprimet e kryera, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, që përcaktojnë mënyrën e ushtrimit të funksioneve dhe detyrave të procesit të likuidimit, përveç rasteve kur veprimet ose mosveprimet e tilla janë qëllimisht të gabuara.

            4. Pavarësisht nga procesi i shqyrtimit gjyqësor, sipas këtij neni, procesi i likuidimit të detyruar të Bankës së Shqipërisë nuk pezullohet dhe zbatohet pa kufizim, deri në marrjen e vendimit nga gjykata.

Neni 104

 

Raportimi në Bankën e Shqipërisë

            Likuidatori raporton çdo muaj në Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për ecurinë e procesit të likuidimit. Këto raporte përmbajnë informacionin për totalin e shumës së detyrimeve të pretenduara ndaj SHKK-së, totalin e shumës së aktiveve të SHKK-së që janë shitur dhe parashikimin e të ardhurave nga shitja e aktiveve.

           

Neni 105

 

Të përgjithshme

            Nëpunësit profesionistë, të caktuar dhe të emëruar nga likuidatori për ndihmë, në përputhje me procedurat e parashikuara në këtë kre dhe në varësi të kërkesave e të kushteve të shërbimit, nuk shpërblehen më shumë se nëpunësit e SHKK-së për të njëjtat shërbime, përveç rasteve kur Banka e Shqipërisë ka autorizuar pagesën e shumave më të larta. Banka e Shqipërisë e jep këtë autorizim kur arrin në përfundimin se pagesa e shumave më të larta është më se e domosdoshme për të rekrutuar dhe mbajtur personelin e nevojshëm.

KREU XII

DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Neni 106

 

Regjistri i Kredive

        

            1. SHKK-të dhe unionet e tyre raportojnë në Bankën e Shqipërisë informacionin e kërkuar nga kjo e fundit për qëllim të Regjistrit të Kredive, sipas përcaktimeve në aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë.

            2. SHKK-të dhe unionet e tyre kanë të drejtë të përdorin informacionin e mbajtur në Regjistrin e Kredive, sipas rregullave të përcaktuara në aktet nënligjore të nxjerra nga Banka e Shqipërisë.

Neni 107

 

Përjashtimi nga tatimet

 

         SHKK-të dhe unionet janë të përjashtuara nga tatimi mbi fitimin.

 

Neni 108

 

Mbrojtja e të dhënave personale

            SHKK-të dhe unionet e tyre mbajnë dhe përpunojnë të dhënat personale të anëtarëve të tyre, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale

 

Neni 109

 

Dispozitë kalimtare

            1. SHKK-të e licencuara nga Banka e Shqipërisë, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, konsiderohen si të licencuara në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

            2. Unionet e licencuara nga Banka e Shqipërisë, në bazë të ligjit “Për shoqëritë e kursim-kreditit”, do të konsiderohen të licencuara në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

            3. SHKK-të dhe unionet, të licencuara në bazë të ligjit “Për shoqëritë e kursim-kreditit” dhe që ushtrojnë veprimtari përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të marrin masat të organizojnë veprimtarinë dhe strukturën e brendshme, në përputhje me kërkesat e këtij ligji, brenda 1 viti nga data e hyrjes në fuqi të tij.

            4. Unionet dhe SHKK-të, asambletë e të cilave kanë miratuar shndërrimin, të cilat paraqesin kërkesë për miratimin e shndërrimit të Unionit në SHKK, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përjashtohen nga kërkesa e pikës 3 të këtij neni.        

            5. Në përfundim të procesit të likuidimit vullnetar të unioneve të shoqërive të kursim-kreditit, aktivet e mbetura pas këtij procesi i ndahen anëtarit të mbetur nga procesi i likuidimit, ose administrohen sipas vendimit përkatës të asamblesë së përgjithshme.

            6. SHKK-të dhe unionet, të licencuara në bazë të ligjit “Për shoqëritë e kursim-kreditit” dhe që ushtrojnë veprimtari përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të sigurohen që treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit të jetë jo më pak se 12 për qind në përfundim të vitit të dytë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, dhe në çdo kohë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe akteve nënligjore të Bankës së Shqipërisë.

            7. SHKK-të dhe unionet, të licencuara në bazë të ligjit “Për shoqëritë e kursim-kreditit” dhe që ushtrojnë veprimtari përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të sigurohen që kapitali i SHKK-së dhe Unionit, në përfundim të vitit të dytë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të jetë mbi minimumin e nevojshëm, të përcaktuar në aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë.

            8. Shoqëritë e kursim-kreditit, të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, të cilave nuk u është miratuar licenca nga Banka e Shqipërisë, fillojnë procesin e likuidimit, sipas dispozitave mbi likuidimin vullnetar, të parashikuar në këtë ligj, me përjashtim të neneve 92 dhe 93, të këtij ligji, të cilat nuk zbatohen. Në këtë rast, procesi i likuidimit vullnetar fillohet nga këshilli drejtues pa marrë miratimin e asamblesë së aksionarëve dhe të Bankës së Shqipërisë. Pas shpërndarjes së aktiveve, sipas nenit 91, të këtij ligji, këshilli drejtues paraqet kërkesë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për çregjistrimin e SHKK-së dhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit çregjistron SHKK-në.

            Neni 50, pika 3, e këtij ligji do të zbatohet edhe për SHKK-të, të cilat janë bashkuar në një SHKK tjetër ekzistuese përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji. 

            9. Banka e Shqipërisë ka të drejtë t’i kërkojë SHKK-së ose Unionit të paraqesë informacion shtesë nëse, sipas opinionit të Bankës së Shqipërisë, informacioni i paraqitur në kohën e marrjes së licencës nuk është i plotë ose i mjaftueshëm.

            10. Neni 36, pika 4, do të zbatohet edhe për kontratat e kredive të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

            11. SHKK-ja duhet të plotësojë kërkesat e nenit 38, të këtij ligji, brenda 5 viteve nga hyrja në fuqi e tij.

            12. Banka e Shqipërisë ka të drejtë të marrë masat e përcaktuara, sipas këtij ligji, në rast se SHKK-të dhe unionet e tyre nuk plotësojnë kërkesat e pikave 3, 6, dhe 7 të këtij neni.

            13. Për kërkesat e paraqitura në Bankën e Shqipërisë për marrjen e licencës, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, dhe subjekteve, të cilave u është komunikuar me shkrim nga Banka e Shqipërisë se kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga ligji “Për shoqëritë e kursim-kreditit” do të zbatohen dispozitat e këtij ligji.

            14. Të gjitha aktet nënligjore të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, në zbatim të ligjit “Për shoqëritë e kursim-kreditit” zbatohen, për aq sa ato nuk bien në kundërshtim me këtë ligj, deri në miratimin e akteve të tjera nënligjore në zbatim të këtij ligji.

            15. Banka e Shqipërisë përcakton organet e brendshme dhe njësitë organizative të Bankës së Shqipërisë, të cilat nxjerrin aktet administrative individuale në zbatim të kompetencave të Bankës së Shqipërisë, sipas këtij ligji.

            16. Banka e Shqipërisë miraton, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktet nënligjore, të përcaktuara në këtë ligj.

            17. Për efekt të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të kapitalit dhe të kontributeve që e përbëjnë atë, ministria përkatëse miraton formularët e regjistrimit të shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre, në përputhje me nenin 39, pika 2, të këtij ligji, si dhe parashikimet e këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Kjo dispozitë do të zbatohet edhe për shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre që janë krijuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 110

 

Dispozitë shfuqizuese

            Ligji nr. 8782, datë 3.5.2001, “Për shoqëritë e kursim-kreditit”, të ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 111

 

Hyrja në fuqi

            Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

                                                                                                           K R Y E T A R I

                                                                                                                Ilir Meta

Miratuar në datën 19.5.2016

посмотрите комедии трейлеры в хорошем качестве
последние и лучшие новости искусства в мире