Fjalimi i Kryetares të Bordit Drejtues, Zj. Zana Konini 25.04.2016

Të nderuar pjesëmarrës!

Të nderuar përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, miq dhe të ftuar!

Zonja dhe Zotërinj, përfaqësues të degëve të Shoqërisë Kursim Kredi “FED Invest”!

Duke ju uruar mirëseardhjen në këtë mbledhje, më lejoni t’ju siguroj se për mua përveçse përgjegjësi, është edhe një kënaqësi e veçantë pjesëmarrja çdo vit në Asamblenë tonë të Pëgjithshme, ku janë të pranishëm pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve tanë ndër vite. Sipas meje ky është një tregues cilësor i punës shumë të mirë që vazhdojmë të bëjmë së bashku dhe një nxitje e fuqishme për të bërë edhe më shumë në të ardhmen.

Së bashku kemi kaluar me sukses më shumë se dy dekada përpjekje dhe sfida. Kur kthej kokën pas dhe shoh zanafillën tonë nuk mund të mos shoh kurajon e jashtëzakonshme të të gjithëve ne, që përmes një projekti me vlerë modeste prej $20,000 u përpoqëm të kontribuonim për lehtësimin e varfërisë në zonat rurale, duke u mbështetur në komunitetin lokal.  Askush nuk e mendonte ato kohë, se ne do të ecnim kaq shumë. Jam e bindur se kemi arritur të tejkalojmë çdo pritshmëri apo skepticizëm. Ndryshimet ndër vite kanë qenë vërtet të mëdha.

Në vitin e largët 2002 sëbashku themeluam Unionin Shqiptar Kursim Kredi, si një institucion ombrellë dhe ndihmës për ShKK-të që vepronin në Shqipëri. Sigurisht që gjatë viteve kemi bërë gabime apo pësuar zhgënjime, por asgjë më mirë se shifrat e aktivitetit tonë sot, nuk mund të përshkruajnë punën që kemi bërë sëbashku. Sot që flasim ne kemi:

  • 34,000 anëtarë;
  • shtrirë aktivitetin në një të tretën e të gjithë fshatrave të Shqipërisë ku banon më shumë se gjysma e popullsisë rurale së vendit;
  • Një portofol kredie më të madh se €25 milionë;
  • Një portofol depozitash më të madh se €15 milionë;
  • 167 punonjës me kohë të plotë ;
  • Mbi 800 të zgjedhur.

Pavarasisht shifrave, koha dhe eksperienca na ka treguar se kurajo, virtytet, ndershmëria dhe transparenca janë të domosdoshme për të përballur sfidat e një mjedisi jo gjithmonë të ndjeshëm.

Ishte kurajo dhe sensi i racionalitetit të përbashkët për të ardhmen, ndershmëria dhe transparenca e punës sonë, ato që mundësuan vitin e kaluar bashkimin vullnetar dhe me përthithje të 70 ShKK-ve në një institucion të vetëm, të ri e të vjeter FED Invest.

Ne të gjithë jemi dëshimtarë të procesit të transformimit të Unionit dhe përpjekjeve të mëdha që kemi bërë për të shpjeguar dhe kuptuar sëbashku domosdoshmërinë për një organizim të ri, tek të gjithë grupet e brendshme dhe të jashtme të interesit në lidhje me zhvillimin e institucionit tonë.

Puna cilësore ndër vite na ka siguruar mbështetjen dhe mirëkuptimin e institucioneve shtetërore dhe Bankës së Shqipërisë për zhvillimet aktuale dhe ato që priten në të ardhmen në fushën e agrikulturës.

Gjatë rrugës kemi fituar besimin e partnerëve të rinj, kolosë ndërkombëtarë kooperativë si Rabobank, Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Agjensia Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtar (JICA), apo KfW, etj. Partnerë të tillë janë një garanci më shumë dhe tregues se ne nuk jemi vetëm, vizioni ynë ndahet edhe me ta, sepse është ai i duhuri si për të ardhmen e institucionit tonë, ashtu edhe për agrikulturën shqiptare.

Procesi i konsoldimit që po jetojmë, do të mundësojë një sistem të ri qeverisje me dy nivele të cilin e kemi konceptuar dhe që po e plotësojmë bashkarisht çdo ditë për ta bërë më efikas dhe efiçent. Ndërsa, sistemi i ri i manxhimit operacional me një nivel që kemi miratuar do të na ofrojë një perspektivë unike për (i) pasurimin dhe zgjerimin e gamës së produkteve që ofrojmë (ii) e per t’ju përgjigjur në kohën e duhur, me sasinë dhe cilësinë e duhur nevojave që kanë anëtarët tanë dhe tregu.

Zhvillimet e këtyre 25 viteve në agrikulturën shqiptare, mjedisin ku ne operojmë, dhe perspektiva e bashkimit në Bashkimin Europian, kanë krijuar premisat që FED Invest të vazhdojë të mbetet lider për mbështetjen e sektorit të agrikulturës dhe promotori kryesor i zhvillimit progresiv dhe të qëndrueshëm në afatin e gjatë.

Pa modesti mund të them se shkalla dhe cilësia e operacioneve tona, na ka vendosur në pozita unike, midis aktorëve dhe partnerëve të tjerë në këtë fushë, dhe se sëbashku gjendemi në vendin, kohën dhe me partnerët e duhur për të udhëhequr zhvillimin cilësor të agrikulturës. Zhvillimet e të shkuarës dhe ato të së sotmes na kushtëzojnë për mirë që të mbetemi një institucion i bazuar në parimet kooperative sipas modeleve më të sukseshme europiane.

Përveç objektivave që kemi për zgjerimin dhe pasurimin e gamës të produkteve dhe shërbimeve, veçanërisht ndaj popullsisë rurale, synojmë gjithashtu që të kontribuojmë nëpërmjet strukturave tona edhe për zhvillimin e agrikulturës shqiptare deri në nivelet e saj optimale, me qëllim përmirësimin e standartit të jetesës.

Ne do të punojmë më shumë, por do të vazhdojmë që të operojmë me të njëjtën filozofi sociale si në të shkuarën, duke shtuar dhe përmirësuar kapacitetet tona me investime të fuqishme në teknologjinë bankare.

Në këtë kuadër, jemi duke punuar paralelisht në disa fronte me partnerët tanë strategjikë. Projektet tona zhvilluese do të nxisin rritjen e përfshirjes financiare në Shqipëri, nxitjen e krijimit të zinxhirit të vlerës në agrikulture, dhe njëkohësisht ngritjen e kapaciteteve tona të brendshme në nivele edhe më të larta profesionale – përmes trajnimeve të vazhdueshme të të zgjedhurve dhe stafit të FED Invest.

Të gjithë këto objektiva frymëzuese, me punë e përkushtim, ne do t’i përkthejmë gjatë pesë viteve të ardhme në: (i)  Rritje të bazës së klientëve/anëtarëve në 200,000 (ii) një portofol kredie prej €90 milionë (iii) rritje të peshës së kredive konsumatore në 50% të vlerës së portofolit të kredisë (iv) futjen e llogarisë rrjedhëse për të gjithë anëtarët tanë (v) pagesat e shërbimeve utilitare në mënyrë bankare përmes FED Invest (vi) shërbime bankare në distancë përmes përmirësimit të vazhdueshëm të teknologjisë së informacionit (vii) kontributin e strukturave tona të zgjedhura për krijimin e zinxhirit të vlerës në agrikulturë dhe agropërpunim. 

Pra, më shumë shërbime financiare në zonën rurale, prodhim bujqësor i organizuar më mirë, më shume partnerë për të patur më shumë të ardhura. Pra kushte më të mira jetese për anëtarësinë tonë, e shoqëruar natyrisht me rritjen e sadisfaksionit te stafit dhe të të zgjedhurve tanë.

Shumë punë dhe sfida të tjera na presin në të ardhmen, por eksperienca jonë e përbashkët është një histori suksesi.

Jam e bindur se po kështu do të jetë edhe e ardhmja.

Faleminderit! 

посмотрите комедии трейлеры в хорошем качестве
последние и лучшие новости искусства в мире