Fjalimi i Kryetares të Bordit Drejtues, Zj. Zana Konini 22.09.2016

Shkëlqesia Juaj, Zonja Ambasadore e Mbretërisë së Holandës,

Të nderuar përfaqësues të EFSE dhe RIAS,

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, Bankës së Shqipërisë, ASD, dhe IFC,

Të nderuar përfaqësues të mediave dhe përfaqësues të FED invest,

 

Kam kënaqësinë t’Ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, që përcakton  zhvillime tejet të rëndësishme për Institucionin tonë, me objektiv mbështetjen dhe zhvillimin e zonave rurale, nëpërmjet financimit dhe asistimit të iniciativave dhe sipërmarjeve private në këto zona.

FED invest është institucion financiar me specifika të qarta dalluese, sepse duke qënë një partner i rëndësishëm biznesi i zonës rurale, ka në qendër të ekzistencës së tij anëtarin, si aktor dhe faktor në vendimmarrje.

FED invest ështe Institucion unik përsa i takon strukturës së kapitalit dhe pronësisë, modelit qeverisës, përgjegjësisë sociale e qasjes së kujdesshme në aktivitetin kredidhënës, specifika, të cilat kanë krijuar një platformë për dialog dhe shkëmbime me anëtarët, gjë që i mundëson Institucionit të ndjejë rrahjet e pulsit të ekonomisë rurale, për t’i reflektuar ato në mbështetje për anëtarët e tij.

Për të arritur deri këtu është dashur shumë punë e përpjekje. Kemi kapërcyer sfida e pengesa, të cilat njëkohësisht edhe na kanë forcuar. Fatmirësisht një pjesë e pjesëmarrësve në këtë aktivitet janë dëshmitarë, aktorë dhe faktorë, që në ditët e para të punës sonë në dimrin e vitit 1992.

Por edhe sot, pas më shumë se dy dekadash aktiviteti jo të lehtë, axhenda e zhvillimeve institucionale nuk ka përfunduar.

Shkalla dhe cilësia e operacioneve tona, na ka vendosur në pozita unike, midis aktorëve dhe partnerëve të tjerë në këtë fushë, e sëbashku gjendemi në vendin, kohën dhe me partnerët e duhur për të mbështetur zhvillimin cilësor të agrokulturës.

Projekti i ri që do të realizojmë do të ketë një shtrirje 3 vjeçare dhe do të ketë si objektiv futjen e teknologjive të reja në manaxhim dhe shërbime financiare, si edhe zgjerimin e dukshëm të tipologjisë së produkteve. Gjithashtu, do të synohet një përshpejtim i ndjeshëm i rritjes së aktivitetit, me jo më pak se 30%-40% që në vitin e dytë, gjë që do të sjellë plotësimin e mëtejshëm të nevojave të popullsisë rurale. Natyrisht kjo do të shoqërohet me rritje të kapaciteteve të burimeve njerëzore, të domosdoshme për shoqërimin e çdo faze të projektit, duke forcuar në të njëjtën kohë masat për administrimin e riskut.

Projekti pason krijimin e suksesshëm të FED invest, përmes bashkimit me përthithje të 70 shoqërive të kursim kreditit, ish anëtare të Unionit Shqiptar Kursim Kredi, dhe licencimit të saj nga Banka e Shqipërisë, më 2 Mars 2016.

Aktualisht, FED invest ka një portofol depozitash prej 2,55 miliardë lekë dhe portofol kredie prej 2,83 miliardë lekë.

Me këtë projekt, po hyjmë në një fazë të re të zhvillimit strategjik e institucional, të bindur se do të kërkohen energji dhe kontribute shtesë, investime në teknologji e burime njerëzore, por që do të përkthehen në shërbime më të mira për zhvillimin e fermave dhe fshatrave tona, si një detyrim i vazhdueshëm kundrejt anëtarëve tanë.

Në mënyrë të veçantë dua të falenderoj partnerët strategjikë si Qeverinë Holandeze, EFSE dhe Rabobank, të cilët na kanë besuar, na kanë ndihmuar që të konceptojmë dhe të fillojmë bashkarisht projektin, me synim ngritjen e një Institucioni të qëndrueshëm në dekadat që pasojnë.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe rolin e rëndësishëm e mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, që në bashkëpunim me Bankën Botërore janë promotorë dhe mbështetës, në përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit ligjor dhe konceptimin e projektit të konsolidimit të SHKK-ve.

Në përfundim, jam e bindur që kontributet e të gjithëve, puna, pretendimi ndaj vetes, misioni dhe vizioni ynë do na drejtojnë drejt suksesit të radhës, edhe pse shumë punë dhe sfida të tjera na presin.

Eksperienca jonë e përbashkët është një histori suksesi.

Jam e bindur se po kështu do të jetë edhe e ardhmja.

 

Faleminderit,

Zana KONINI

Drejtore Ekzekutive

FED invest

посмотрите комедии трейлеры в хорошем качестве
последние и лучшие новости искусства в мире